2017-03-18 15:19:00

Meditim frymëzuar nga Liturgjia e së Dielës III të Kreshmëve: "Kam etje!"


Kam etje!

Endem etshëm në shkretirën

e shpirtit tim...

Nën diellin zharitës të kohës,

që etjen keqas ma shton

kërkoj një oazë.

Kërkoj burimin,

që shpirtit tim t’ia shuajë

etjen për pambarimin.

E di se dikund gjendet,

ma thotë misteri,

që fshihet në zemrën time

e më shqetëson

e më vë për udhë...

Duhet ta gjejë patjetër

pa u dyndur nata

mbi ditën time,

që dridhet si fleta e gjethit në degë.

Pi në pusin pa fund të parasë

po etjen nuk ma shuan!

Në pus të kënaqësive pi

e buzët më djegin!  

Ujë kërkoj, në burimin e suksesit,

e pi veç shi e mjegull.

Në pus të pafund të publicitetit,

këlthas si qyqja në shkëmb...

Thua jam dënuar

të shembem në kërkim të ujit

që etjen mund të ma shuajë?

Të vdes gjithnjë në kërkim

pa e gjetur në asnjë krua?

Apo e kam gurrën në shpirt?

E duhet të gërmoj përbrenda vetes,

në rërën e përvëluar të mëkatit tim,

në  dunat valëzuese të rërës,

që i mblodhi mal stuhia

e ankthit të përditshëm?

Gërmoj me etje,

më thellë, gjithnjë më thellë,

e mbërrij te gurra.

Kronin e kisha në shpirt

me ujë të gjallë e të kulluar

që ta shuan etjen e amshimit

e të nxjerr nga zjarri pa u djegë,

si del rrezja nga dielli!

Kush pi në të

kurrë nuk e ndjen shkrumbimin,

sepse është gurrë

që del nga zemra e Zotit

e hyn në zemrën time...

Është uji i premtuar

që në kohët e lashta!

E që atëherë

gurron e rrjedh pa u ndalë

prej Fjalës së Zotit!

Gurrë, që e ruan Kisha

për shtegtarë të etur

në vise e nëpër kohë!








All the contents on this site are copyrighted ©.