2017-03-17 14:30:00

Selia e Shenjtë: shtetet të luftojnë kundër trafikut të njerëzve e të armëve


“Një sfidë e jashtëzakonshme, që kërkon përgjigjen e duhur”. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi Bernardito Auza, e ngriti dje zërin në një debat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Nju Jork, kundër trafikut të njerëzve dhe të armëve.

Këshilli i Sigurimit duhet të ketë rol më vendimtar

Imzot Auza dënoi ashpër lehtësinë me të cilën armët, edhe ato të shkatërrimit në masë, përfundojnë në duart e terroristëve, duke favorizuar e duke i zgjatur konfliktet. Ai bëri thirrje për t’i përdorur më shumë traktatet dhe ligjet, që kanë të bëjnë me luftën kundër tregtisë së armëve. “Këshilli i Sigurimit i OKB-së – kërkoi Vëzhguesi i Vatikanit – të luajë një rol më vendimtar në luftën kundër plagës së trafikut, duke parandaluar e duke u dhënë fund konflikteve të armatosura, si edhe duke favorizuar konsolidimin e paqes dhe të zhvillimit.

U kujtua tragjedia e të krishterëve, e jazidëve dhe e pakicave fetare në Irak

Imzot Auza foli më pas për “bashkësitë e krishtera, jazidët dhe pakicat etnike e fetare në zonën e Mesopotamisë së lashtë, njerëz të skllavëruar, të shitur, të vrarë dhe të poshtëruar me çdo lloj mënyre”. “Mungesa e dukshme e përpjekjeve serioze për t’ia dorëzuar drejtësisë autorët e këtyre akteve të genocidit dhe të dhunimit të të drejtave të njeriut e të së drejtës ndërkombëtare – vërejti imzot Auza – ngre shumë pikëpyetje. Sa tmerre të tjera duhen toleruar para se viktimat të ndihmohen, të mbrohen e të fitojnë drejtësinë?”.

Emigrantët pa dokumente

Duke theksuar karakterin parësor të luftës kundër trafikut, gjatë papnisë së Françeskut, Vëzhguesi i Vatikanit vuri në dukje lidhjen ndërmjet kësaj plage të shoqërisë dhe varfërisë së skajshme, zhvillimit të pakët, përjashtimit shoqëror, mungesës së arsimit dhe të punës. Trafikantët e njerëzve, terroristët, grupet e armatosura dhe rrjetet ndërkombëtare të kriminalitetit të organizuar gjejnë terren të përshtatshëm ndër njerëzit më të brishtë, në ikje nga mungesa e perspektivës, nga luftrat e nga fatkeqësitë natyrore. Brishtësi, që theksohet më shumë, kur konsiderohen kriminelë edhe emigrantët pa dokumente, që për ligjin, janë të parregullt, denoncoi së fundi, imzot Auza.








All the contents on this site are copyrighted ©.