2017-03-17 16:12:00

Nga Tirana në skenat ndërkombëtare: takim me balerinin Marlon Dino


Sot, në orën 17.45, në Sallën Wolf të Departamentit të Komunikimit e të Kërkimit në fushën shoqërore, në Universitetin La Sapienza të Romës (via Salaria 113), ambasada e Shqipërisë në Itali organizon një takim me balerinin shqiptar Marlon Dino. Takimi mbahet në bashkëpunim me Cipriani Entertainment dhe me vetë Departamentin e ateneut, para se Marlon Dino të marrë pjesë nesër e pasnesër në shfaqjen “Les Etoiles” në Auditoriumin “Conciliazione” ne Romë. Balerini do të flasë për karrierën e vet artistike ndërkombëtare, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares Lula Abicca. Nismën e përshëndet ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri. Marrin pjesë në takim edhe Lucia Lacarra, étoile ndërkombëtare dhe vetë Daniele Cipriani, organizator festivalesh baleti.

Marlon Dino është lindur në Shqipëri dhe ka frekuentuar Shkollën e Baletit në Tiranë, nga viti 1991. Më 1998 shkoi në Gjenevë të Zvicrës, për të studiuar me David Allen në Qendrën e Baletit. Në janar të vitit 2001 gjeti punë në Operën Shtetërore të Vjenës, por nuk pati shumë fat. Vijoi me një periudhë audicionesh, gjatë të cilave u detyrua të flinte rrugëve, për mungesë të hollash. Por në vitin 2002, pas një audicioni, u thirr nga Trupa e Baletit e Operës së Bajernit, ku vijon edhe sot, si balerin i parë. Marlon Dino ka interpretuar dhjetra role kryesore, për të cilat ka marrë shumë vlerësime nga kritika e specializuar. Nuk kanë munguar dhe shprehje si “një nga partnerët më të mirë në botë” (Zvetlana Zahkarova), ndërkohë që revista “Dance Europe” për vitet 2008, 2010 dhe 2013 e ka shpallur Marlon Dinon si “Balerini më i mirë në botë”. Për interpretimin e Oneginit, në vitin 2007, fitoi çmimin “Rosen Schtraus des Jahres” në Mynih.








All the contents on this site are copyrighted ©.