2017-03-15 14:49:00

Papa Françesku: ta shikosh Jezusin në skamnorët


Nuk mund të ketë çlirim të vërtetë të njeriut, pa kumtimin e Ungjillit. Janë fjalët e Papës Françesku, në mesazhin drejtuar anëtarëve të Shoqatës ndërkombëtare të Bamirësisë, me rastin e 400-vjetorit të Bashkëvëllazërive të para, themeluar nga Shën Vinçenc de’ Paoli. Kisha bëhet e besueshme - nënvizon Françesku - kur e dëshmon konkretisht dashurinë.

Françesku uron që misioni i lidhur me lindjen e Bashkëvëllazërive të Bamirësisë, themeluar në vitin 1617, në Châtillon, nga Shën Vinçenc de Paoli, të jetë edhe në kohët tona dëshmi e vërtetë e mëshirës së Zotit për të varfërit. Ky 400-vjetor - shton - qoftë rast falënderimi drejtuar Zotit për dhuratat e Tij e për pritjen me zemër të hapur të këtyre dhuratave, për t’i dalluar kështu, me frymën e Shpirtit Shenjt, udhët e reja, gjithnjë më të frytshme, në shërbim të bamirësisë.

Bashkëvëllazëri të lindura nga dashuria për të varfërit

Bashkëvëllazëritë e Bamirësisë - kujton Françesku - lindën nga dashuria e nga mëshira e Shën Vinçencit për të varfërit, shpesh të braktisur e të përjashtuar, si në fshatra, ashtu edhe në qytete. Të varfër, të cilët ai i shikonte si përfaqësues të Jezu Krishtit, si gjymtyrë të korpit të Tij të munduar. Shën Vinçenci - shton Papa - ia pati besuar kujdesin për të varfërit laikëve, posaçërisht grave. Shoqata ndërkombëtare e Bamirësisë vijon edhe sot t’i mbështesë njerëzit më të varfër, duke u përpjekur t’ua lehtësojë barrën e nevojave të tyre materiale, fizike, morale e shpirtërore.

Jeta e fesë krijon mundësi për ta perceptuar të vërtetën mbi njeriun

Ati i Shenjtë, pasi kujton se në bazë të këtij angazhimi është Provania e Zotit, i inkurajon bashkëvëllazëritë ta ndihmojnë njeriun në mënyrë të gjithanshme, duke i kushtuar kujdes të posaçëm kushteve të vështira të jetës së grave e të fëmijëve. Jeta e fesë, e bashkuar me Krishtin - lexohet në mesazh - na krijon mundësitë ta perceptojmë realitetin e njeriut, dinjitetin e tij të pakrahasueshëm, shëmbëllimin e tij me figurën e vetë Zotit.

Ta shikosh varfërinë, do thotë  të jetosh misterin e Mishërimit

“Për ta shikuar varfërinë - nënvizon Papa - nuk mjafton të ndjekësh ide të mëdha”. Mbi të gjitha, duhet jetuar misteri i Mishërimit. Misteri i Zotit bërë Njeri, që vdiq për ta lartuar njeriun e për ta shpëtuar. Këto nuk janë fjalë të bukura, por realitet. Tregojnë se jemi të thirrur të jetojmë si Kishë. Ta shikosh Jezusin në skamnorët - përfundon Françesku - për të munduarit do të thotë edhe ta takosh Krishtin, në ata që ofrojnë dëshminë e  mirëfilltë të bamirësisë. Është kultura e mëshirës, që i përtërin thellësisht zemrat dhe u hap horizontin e realitetit të ri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.