2017-03-14 17:12:00

Dal Covolo: në Universitetin Lateranens, Festival Krijimtarie për Kishën


“Ç’Kishë do të kemi pas 20 vjetësh?” Është pyetja interesante, që shtron Festivali i parë Ndërkombëtar i Krijimtarisë në fushën e baritorisë, organizuar nga Universiteti Papnor Lateranens, nga 23 deri më 25 mars. Në bashkëpunim me Universitetin amerikan të Vilanovës në Pensilvani dhe me entin për formimin e mësuesve “Creativ”, gjatë triditëshit romak, laikë e të shuguruar, burra e gra, që po impenjohen për rinovimin e Kishës, siç kërkon Papa Françesku, do të diskutojnë për gjithçka ka të bëjë me baritorinë e Kishës, përmes konferencave, seminareve dhe leksioneve ndërvepruese. Për të na folur mbi këtë Festival, që mbahet për herë të parë, ftuam në mikrofonin tonë, rektorin e Universitetit Papnor Lateranens, imzot Enrico Dal Covolo:

Së pari, do të thosha se nuk kemi “receta” për të propozuar: e jona është punë kërkimore e hapur. Si lindi? Lindi nga disa edicione të ngjashme për praktikën baritore virtuoze si për rregulltarët e meshtarët, ashtu edhe për laikët. E ndjemë fuqishëm këtë pyetje: “Cila është e ardhmja e Kishës?” Përsëris, nuk kemi “receta” për të propozuar, por kemi reflektime në kuadrin universitar, pra, në nivel shkencor dhe akademik, që mendojmë se mund të jenë të dobishme për pyetjen që na është shtruar.

Papa Françesku thotë shpesh se duhet të jemi krijues në jetën e Kishës. Ç’pritet nga ky festival?

Papa na nxit drejt krijimtarisë: është një nga fjalët më të përdorura të fjalorit të tij. Çfarë pritet nga festivali? Unë besoj – e personalisht këtë pres – të jepen ide konkrete: domethënë në cilat vija duhet të lëvizim më shumë: cilat janë përparësitë dhe strategjitë për t’u propozuar dioqezave, famullive e, madje, edhe institucioneve politike? Sepse Festivali u drejtohet edhe institucioneve politike: marrin pjesë përfaqësues nga e gjithë bota. Përmes këtij Festivali, ne duam të arrijmë në një lloj deklarate apo manifesti, në të cilin të specifikohen këto linja konkrete ku do të lëvizë krijimtaria për të cilën flet Papa, por edhe Kisha, së paku këtu e 20 vjet.

Çfarë do të gjejnë pjesëmarrësit në Festival?

Do të gjejnë hapësira të ndryshme e interesante, organizuar në: konferenca shumëperspektivëshe; tryeza të praktikave të mira; hapësira bashkëpërgjegjësie; përvoja evokative dhe ngjarje, që e kanë shënuar pozitivisht këtë rrugë; dialog me njerëz të njohur e me autoritet; një tryezë të hapur me pyetje e me punë kërkimore, si edhe grupe të ndryshme pune.








All the contents on this site are copyrighted ©.