2017-03-14 13:01:00

Atë Lorenc Gavran: 13-të të martat me shëna Ndoun drejt Jezu Krishtit


Fillon sot, e marte 14 mars, tradita devocionale e 13-të të martave të shëna Ndout të Padovës. Kudo në Kisha e në Shenjtërore kushtuar këtij shenjti, kështu edhe në trevat shqiptare nga Laçi e deri në Tuz, Gjakovë e vende tjera, besimtarët marrin pjesë në Meshë, në sakramentin e Rrëfimit a Pajtimit, në lutje të përshpirtshme drejtuar shëna Ndout, që të ndërmjetësojë pranë Jezu Krishtit, për nevojat e tyre shpirtërore e trupore.

Devocioni ndaj këtij shenjti të madh është i shtrirë jo vetëm në Kishën katolike por edhe më gjerë. Shën Antoni ka zgjuar interesim përpos tek katolikët edhe ndër ortodoks, budistë e mysliman. Me plot të drejtë quhet shenjti universal – shenjti i botës. Ishte njeri i palodhshëm në vreshtin e Zotit. Jeta e tij ishte shërbim ndaj vëllait njeri pa dallim, prandaj ishte i pranuar dhe i dashur nga të gjithë.

Cili është aktualiteti i mesazhit të Shëna Ndout? Një gjë është e sigurt: se Antoni nuk ka qenë vetëm njeri i madh për Hyjin, por edhe njeri i madh për njerëzit e varfër, madje edhe politikan i kohës së vet. Gjëja më e madhe tek Antoni ishte gatishmëria për t’i shërbyer të gjithëve pa kurrfarë interesi, për të dhuruar vetveten, për të dhënë gjithçka me dashuri të madhe, në emër të Zotit, pa pritur kurrfarë shpërblimi.

13-të të martat e shën Ndout duhet të jenë paraqitje e bukurisë së amshuar të Krishtit, pikërisht ashtu siç porosiste Shëna Ndou: “Në se predikon Krishtin, ai i shkrin zemrat e ngurrëta; në se i lutesh,  Ai i ëmbëlson tundimet e hidhura; në se mendon për Të, ta  mbush zemrën plot dritë; në se e lexon, Ai ta  shuan etjen e mendjes”.

Për shën Antonin është themelor kundrimi i Kryqit, që mbetet po aq i rëndësishëm edhe për kulturën bashkëkohore. Vegimi i Kryqit i frymëzon Antonit mendime mirënjohjeje për Zotin e nderimi për njeriun; kështu të gjithë, besimtarë e jo besimtarë, mund të gjejnë tek i Kryqëzuari e tek simboli i tij, një domethënie, që ta pasuron jetën (…) Në këtë mënyrë,  i tërë dinjiteti njerëzor duket në pasqyrën e Kryqit e shikimi i ngulur drejt tij, është gjithnjë burim i njohjes së këtij dinjiteti.

Po si ka lindur ky devocion i të 13-të martave, cila është domethënia e synimi? Mbi këtë flasim me françeskanin Atë Lorencin Gavran, nga kuvendi françeskan i Gjakovës. Atë Lorenci është zëvendës-famullitar i komunitetit të shën Pjetrit e Palit në Gjakovë dhe asistent i Ministrit Gjeneral të Françeskanëve për Shqipërinë. Po t’i kthehemi të 13-të të martave të shëna Ndout e ta dëgjojmë komentin e tij...

 








All the contents on this site are copyrighted ©.