2017-03-13 18:31:00

Për herë të parë, u kremtua në Bazilikën e Shën Pjetrit, Mbrëmësorja anglikane


Një hap i ri i rëndesishëm përpara drejt ekumenizmit me Kishën Anglikane. Sot pasdite, për herë të parë në histori, u kremtua në Bazilikën e Shën Pjetrit, Lutja Mbrëmësore anglikane, sipas ritit të kësaj Kishe (evensong). "Ky është çast me rëndësi historike", tha në fillim të predikimit, Sekretari i Kongregatës vatikanase për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, imzot Arthur Roche, i cili e përqendroi më pas predikimin e tij në kontributin kishtar të Shën Gregorit të Madh, papë, Apostulos Anglorum (Apsostull i Anglezëve). Pengesat në rrugën e ekumenizmit, vuri në dukje më tej ai, duhen kapërcyer me guxim e lutje, duke e lënë Shpirtin Shenjt të veprojë.

Mbrëmësoret u kryesuan nga kreu i Qendrës Anglikane në Romë, kryepeshkopi David Moxon. Shoqërimi muzikor i liturgjisë u realizua mrekullisht mirë nga kori i Kolegjit të famshëm Merton i Oksfordit. Jo më larg se në fund të shkurtit, Papa Françesku, edhe ai për herë të parë në histori, vizitoi kishën anglikane të Gjithë Shenjtorëve në Romë. Ndërsa në tetor të vitit të kaluar, Ati i Shenjtë kremtoi mbrëmësoren së bashku me primatin anglikan, kryepeshkopin Justin Welby, në kishën katolike të shenjtorëve Andrea dhe Gregori në Romë. Në atë rast, u nënshkrua një deklaratë e përbashkët, hap tjetër në udhën e ekumenizmit, që të gjithë të jenë një gjë e vetme, siç pati kërkuar Zoti ynë Jezu Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.