2017-03-13 15:04:00

Gëzim i madh në Kolumbi për vizitën e Papës, misionar i paqes


Gëzim i madh në Kolumbi për zyrtarizimin e lajmit se Papa Françesku do të vizitojë vendin amerikanojugor nga 6 deri më 11 shtatorin e ardhshëm. Papa argjentinas konsiderohet një nga protagonistët e procesit delikat të paqes, që pas mëse 50 vjetësh konflikti, përfundoi me marrëveshjen ndërmjet qeverisë dhe guerrilasve marksistë të Forcave të Armatosura Revolucionare (FARC). Ish-rebelët, tashmë, kanë filluar çarmatosjen. Për rëndësinë e kësaj vizite të Atit të Shenjtë, intervistuam pedagogun e historisë bashkëkohore në Universitetin e Modenës dhe të Reggio Emilias, prof. Gianni La Bella. Ai po ndjek gjendjen në Kolumbi si përfaqësues i Bashkësisë kishtare të Shën Egjidit:

Rëndësia e këtij udhëtimi të Papës Françesku në Kolumbi është e dyfishtë: nga njëra anë, viziton një Kishë, e cila e ka ftuar, por sidomos, jep kontributin e tij të fuqishëm e të apasionuar për çështjen e paqes. Papa do të shkojë për një javë në Kolumbi dhe do të vizitojë Bogotà-në, Villavicencio, Medellín-in dhe Cartagena-n.Villavicencio është një nga vendet, ku konflikti – lufta – ndërmjet shtetit dhe guerrilasve të FARC-ut ka qenë më e dhunshme. Është udhëtim shumë i rëndësishëm e në një farë kuptimi, mund të simbolizohet nga logoja, nga motoja, që u zgjodh për këtë vizitë: “Demos el primer passo”, pra, “Të bëjmë së bashku hapin e parë”. Pasqyrohet Papa, që ecën, sikur të dojë të tërheqë me vete gjithë Kishën latinoamerikane e, në veçanti, atë kolumbiane, për ta bërë paqen të fortë, të qëndrueshme në jetën e vendit, të tillë, që çdo qytetar kolumbian mund ta përjetojë.

Kontributi themelor i Atit të Shenjtë në favor të paqes njihet nga të gjithë. Por, në ç’pikë kanë arritur bisedimet?

Janë në një pikë të mirë, në kuptimin që, hap pas hapi, po zbatohet marrëveshja e paqes përmes një sërë ligjesh të veçanta, miratuar nga Parlamenti; janë miratuar të ashtuquajturat kampe të tranzicionit, ku shumica e guerrilasve dorëzojnë armët. Nga ana tjetër, po bëhen gati një sërë masash legjislative për kthimin e të ashtuquajturve “militantë të bazës”, ata që nuk konsiderohen përgjegjës për krime të veçanta. Pra, pavarësisht nga vështirësitë, procesi po ecën përpara mjaft mirë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Papa priti në Vatikan, presidentin kolumbian Santos dhe opozitorin e tij kryesor, Uribe, i cili ishte kundër marrëveshjes. Në Kolumbi, përveçse me FARC-un, vijon edhe dialogu me Ushtrinë e Çlirimit Kombëtar, apo jo?

Ky dialog nisi zyrtarisht jo më larg se një muaj më parë. Po zhvillohet në Quito dhe po vijon në të njëjtën mënyrë si ai me FARC-un: një delegacion nga qeveria dhe një nga Ushtria janë ulur në tryezën e bisedimeve me rezultate mjaft pozitive. Sigurisht, është dialog i filluar në më pak se një muaj, prandaj do të ketë nevojë për kohë që të përfundojë, por të dyja palët kanë dëshmuar qartë synimin për të arritur një marrëveshje, e cila, kushedi, mund të realizohet edhe me rastin e vizitës së Papës. Koha në dispozicion nuk është shumë, por teorikisht, ky rezultat është i mundur.

Në fillim, ju thatë se Papa i është përgjigjur ftesës së ipeshkvijve kolumbianë. Cili është roli i Kishës kolumbiane në bisedimet për paqen?

 Kisha kolumbiane i ka ndjekur gjithnjë me vëmendje të madhe procesin e paqes e, për shembull, në kuadrin e bisedimeve me Ushtrinë për Çlirimin Kombëtar, ka emëruar një komision prej pesë ipeshkvijsh, kryesuar nga kryeipeshkvi i Cali-t, imzot Darío Monsalve, që ndjek nga afër procesin. Mendoj se Kisha sot ka një rol më themelor se kurrë për të garantuar procesin e paqes, sepse është e vetmja organizatë e pranishme në çdo anë të vendit e në territor, e vetmja që, përmes veprimtarisë së saj, mund t’i kthejë shkollat, famullitë, veprat e saj të pafund shoqërore, në vende e laboratore, ku të ndihmohen kolumbianët ta jetojnë procesin e pajtimit, të hapin një faqe të re e, sidomos, të lënë pas shpine çdo formë mllefi e urrejtjeje, për të përqafuar krahëhapur këtë dhuratë, që i bën historia vendit. Për Kolumbinë, kjo mund të jetë vërtet hapja e një faqeje të re në historinë e saj.

Papa do ta vizitojë vendin si “misionar i pajtimit”, duke ftuar çdo kolumbian të impenjohet personalisht. Por si mund të ngrihet sërish në këmbë Kolumbia, pas një konflikti, që zgjati më se 50 vjet e që shkaktoi mijëra të vdekur?

Kolumbia është vend i fortë, së pari, sepse arriti të jetojë në këtë tragjedi për më se 50 vjet. Çdo kolumbian, në familjen e vet, ka së paku një person, që është prekur drejtpërdrejt nga kjo luftë. Është vend me mundësi të mëdha nga pikpamja shoqërore dhe ekonomike. Kolumbianët duhet të përshkojnë një rrugë të re, që kalon përmes një lloj “purifikimi” të kujtesës, duke e pranuar ç’ka ndodhur, por duke gjetur edhe forcën për rilindjen kombëtare. Së shpejti, brezat e rinj të Kolumbisë do të marrin në dorë jetën e vendit e ata nuk kanë jetuar në këtë gjendje të tmerrshme. Kjo do ta ndihmojë vendin të hyjë në një epokë të re, ashtu si vende të tjera të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.