2017-03-12 19:34:00

Papa në famullinë e Ottavia: Jezusi na pret gjithnjë


Sot pasdite, Papa Françesku vizitoi famullinë e Shën Madalenës së Kanosës, në zonën Ottavia të Romës. Këtu u takua me fëmijët, të rinjtë, prindërit e të pagëzuarve gjatë vitit 2016, të moshuarit, të sëmurët, bashkëpunëtorët e baritorisë. Në orën 18.00, kremtoi Meshën, gjatë së cilës mbajti homelinë, frymëzuar plotësisht nga faqja ungjillore e Shndërrimit të Krishtit.

Dy herë përmendet në këtë fragmet të Ungjillit bukuria e Jezusit – ishin fjalët e para të Papës në fillim të homelisë - e Jezusit-Zot, Jezusit të shndritshëm, Jezusit plot me gëzim e me jetë. Së pari, në vegim: “E u shndërrua”. Shndërrohet para tyre, dishepujve: fytyra e Tij shndriti si dielli e veshjet e Tij u bënë të bardha, si drita. E Jezusi transformohet, shndërrohet. Herën e dytë, ndërsa zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos flisnin për këtë vegim para se Ai të ngjallej nga vdekja, domethënë, në Ngjallje. Jezusi do të kishte - kur të ngjallej - të njëjtën fytyrë të ndritshme, vezulluese. E kështu do të jetë! Por ç’dëshironte të thoshte? Se ndërmjet këtij shndërrimi kaq të bukur, e kësaj Ngjalljeje, do të ishte një fytyrë tjetër e Jezusit: fytyrë jo aq e bukur, fytyrë e shëmtuar, e shpërfytyruar, e torturuar, e përbuzur, e përgjakur nga kurora e ferrave -vijoi të kujtonte Papa. -  I gjithë trupi i Jezusit do të ishte pikërisht kështu, si një send për t’u flakur. Dy shndërrime, e në mes, Jezusi i kryqëzuar, Kryqi. Duhet ta shikojmë shumë kryqin. Është Jezusi-Zoti - "ky është im Bir”, “ky, Biri im i dashuri!”. Jezusi, Biri i Zotit, vetë Zoti, në të cilin Ati gjeti kënaqë. Ai u asgjësua, për të na shpëtuar! E, për të përdorur një fjalë tepër të fortë, tepër të fortë, ndoshta një nga fjalët më të forta të Besëlidhjes së Re, një fjalë që e përdor Pali: “u bë mëkat”. E mëkati është gjëja më e shëmtuar; mëkati është fyerje Zotit, shuplakë Zotit, është t’i thuash Zotit “Ti nuk më duhesh gjë, mua më pëlqen kjo”. E Jezusi u bë mëkat - kujtoi me fjalët e Shën Palit Papa - u asgjësua, u përul deri aty... E për t’i përgatitur dishepujt, që të mos shkandulloheshin kur ta shikonin ashtu, në kryq, e bëri këtë shndërrim.

Ne jemi mësuar të flasim për mëkatet, kur rrëfehemi: “Kam bërë këtë e këtë mëkat, kam bërë edhe këtë tjetrin” - e edhe në rrëfim, kur falemi, e ndjejmë se u falëm, sepse Ai e mori mbi vete këtë mëkat në Mundimet e veta. Ai u bë mëkat. Ne jemi mësuar të themi, kur kujtohen mëkatet e të tjerëve: ç’ shëmtim! Në vend që të flasim për mëkatet e tjetrit, nuk po them të bëhemi vetë mëkat, sepse nuk mundemi, të shikojmë mëkatet tona e Atë, që u bë mëkat. E kjo është udha kah Pashkët, drejt Ngjalljes, me sigurinë e këtij shndërrimi. Kështu të shkojmë përpara: të shikojmë këtë fytyrë kaq të shndritshme, kaq të bukur, që do të jetë po kaq e bukur në Ngjallje, kur ta shikojmë në qiell, e të shikojmë edhe fytyrën tjetër, që u bë mëkat. Pagoi kështu, për ne të gjithë - rikujtoi Papa - Jezusi u bë mëkat, u bë mallkim i Zotit, për ne: Biri i bekuar, në Mundimet, u bë i mallkuar, sepse mori mbi vete mëkatet tona. Të mendojmë për këtë. Sa dashuri - sa dashuri! E të mendojmë edhe për bukurinë e fytyrës së shndërruar të  Jezusit,  që do ta takojmë në qiell e ky kundrim i dy fytyrave të Jezusit - kësaj të shndërruar e asaj bërë mëkat, bërë mallkim – të na inkurajojë të ecim në udhën e jetës, në udhën e jetës sonë të krishterë. Të na inkurajojë të lypim falje për mëkatet tona, për të mos mëkatuar shumë. Na inkurajoftë, sidomos, të kemi besim, ngaqë nëse Ai u bë mëkat, u bë sepse mori mbi vete tonat. E ai është gjithnjë gati të na falë, ne duhet vetëm t’ia kërkojmë këtë falje”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.