2017-03-12 09:00:00

Konferencë në Tiranë, në 50-vjetorin e fillimit të prishjes së objekteve të kultit në Shqipëri


Më 15 mars, mbahet në Tiranë, një konferencë për të përkujtuar 50-vjetorin e fillimit të prishjes së objekteve të kultit në Shqipëri, nga ana e regjimit komunist. Me temë “Të kujtojmë për të ndërtuar të ardhmen”, konferenca do të mbahet në Sallën kryesore të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Të pranishmit do t’i përshëndesë Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, në orën 18.30.

Më pas, do të shihet pjesa e parë e dokumentarit “Viti i mallkuar 1967”, realizuar nga televizioni Top Channel, me autor Dashnor Kaloçin dhe Genta Popën. Gazetari i njohur, Blendi Fevziu, do të paraqesë një këndvështrim personal rreth përndjekjes së klerit katolik nga ana e shtetit komunist, si edhe do të flasë për marrëdhëniet e Enver Hoxhës me dom Shtjefën Kurtin e me Nënë Terezën.

Profesoresha Aljula Jubani, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, do të sjellë një reflektim mbi pasojat morale, shpirtërore dhe kulturore, që solli ndalimi i fesë dhe prishja e objekteve të kultit në Shqipëri. Së fundi, pjesëmarrësit e konferencës do të ndjekin pjesën e dytë të dokumentarit “Viti i mallkuar 1967”.








All the contents on this site are copyrighted ©.