2017-03-10 13:38:00

Ushtrimet shpirtërore. Papa: Jezusi flet përmes gjërave të thjeshta


E shtata dhe e fundmja ditë e Ushtrimeve shpirtërore për Papën dhe Kurien Romake, në përfundim të të cilave Françesku u kthye në Vatikan. Duke e marrë fjalën pas meditimit të nëntë me temë “Varri i zbrazët dhe Ngjallja”  sipas Ungjillit të Mateut, Papa i përfundoi Ushtrimet shpirtërore, nisur të dielën e kaluar, në Ariccia, duke e falënderuar atë Giulio Michelinin, që mbajti meditimet e këtyre ditëve para Atit të Shenjtë Bergoglio dhe Kuries Romake.

Papa Françesku e falënderoi për predikimin krejt të natyrshme, pa marrë pamjen e figureve, e edhe për  mënyrën e përgatitjes së punës. E këtë e quajti përgjegjësi e aftësi për t’i marrë gjërat seriozisht. Me gjithë bagazhin e jetës, studimet, predikimet, miqtë, prindërit, fretërit e rinj, për të cilët duhet të kujdeset. Me gjithçka, gjithçka. Faleminderit që ishe normal – theksoi Françesku - e pastaj, e dyta - vijoi Papa - dëshiroj të të falënderoj për punën që bëre, për mënyrën si u përgatite. E për gjithçka na shpjegove gjatë këtyre ditëve.

Është e vërtetë: ka një mal me gjëra, të cilat mund të meditohen, por Shën Injaci na kujton se kur dikush gjen në ushtrimet diçka që ngushëllon ose pikëllon, duhet të ndalet aty e të mos shkojë më tutje. Sigurisht secili nga ne gjeti një a dy gjëra të tilla, gjatë kësaj kohe. E ajo, që mbeti, nuk është se shkon kot, ruhet për një herë tjetër... Madje ndoshta gjërat më të rëndësishme, më të forta, ndokujt mund të mos i thonë asgjë; e ndoshta-ndoshta mjafton një fjalë e vetme, për t’i thënë shumë më tepër. 

Këto, fjalët e Papës, që në vijim tregoi një anekdotë, për një predikatar të madh spanjoll të cilit, pas një predikimi të përgatitur mirë, iu afrua një burrë - mëkatar i madh publik -  me lot për faqe e i kërkoi rrëfimin: rrëfei një ujëvarë mëkatesh. Fjalë e lot! Fjalë e lot! Rrëfyesi, i çuditur e i mrekulluar, sepse e njihte fare mirë jetën e burrit, i cili më shumë qante sesa fliste, e pyeti: “Pa më thuaj, kur e ndjeve se Zoti po ta prekte zemrën? Me cilën fjalë të preku kaq shumë?  E pendestari i madh gjegji: “Kur ju thatë: tani të kalojmë tek një argument tjetër!”. Nganjëherë edhe fjalët më të thjeshta, më të rëndomta, më të çuditshme, mund të na ndihmojnë. E mund të na ndihmojnë edhe fjalët e ngatërruara. Zoti di t’i zgjedhë fjalët që duhen, për ta prekur secilin sipas mënyrës së vet.

Të falënderoj për këtë - i tha përsëri Papa rregulltarit françesekan. - E uroj ta vijosh gjatë punën tënde në Kishë e për Kishën, në ekzegjezë e në shumë e shumë gjëra, që do të t’i besojë Kisha. Uroj të jesh gjithnjë françeskan i mirë!








All the contents on this site are copyrighted ©.