2017-03-10 17:17:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së II të Krezhmëve ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit, të Dielën së Dytë të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Nga errësira në dritë, nga tundimi i njeriut Jezus, në lavdinë e Birit të dashur; nga “humniteti tij, që është në gjithçka i ngjashëm me ne”, me përjashtim të mëkatit, në humanitetin e bijve të adoptuar, bashkëtrashigimtarë të jetës së tij të pavdekshme Hyjnore.

Nga tundimet në glorifikim, po kjo është vetëm një etapë drejt kalvarit ku Jezusi, Abrahami ri, do të japë dëshminë e tij të bindjes ndaj Atit e, ky do t’ia tregojë botës mbarë si Bir të Tij të dashur në gjakun e të cilit të gjithë njerëzit janë shëlbuar.

Kështu, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele të dytë të kreshmëve, që si zakonisht gjatë kësaj kohe parapërgatitore të Pashkëve, na propozon etapa të rëndësishme të historisë së shëlbimit, me personazhet e saj protagonistë, si Abrahami ( Leximi I), patriarku në të cilin e ka zanafillën Populli i Zotit. Figura e tij karakterizohet nga gatishmëria e plotë për të kryer vullnetin e Hyjit dhe nga bashkëpunimi me planin hyjnor të shëlbimit. Ai përfaqëson njerëzit, që kanë besim tek Zoti.

Tregimi i Ungjillit (nga Mateut) mbi shndërrimin e Krishtit, nga njëra anë, na tregon cili është qëllimi i agjërimit, i kësaj praktike krezhmore, që në fund të fundit, na nxit ta ndryshojmë jetën e, nga ana tjetër, e vendos Jezusin në qendër të historisë së shëlbimit. “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!”, thotë Zoti. Por kjo pjesë ungjillore paralajmëron edhe misterin e lavdisë së vdekjes e të ngjalljes së Krishtit: “Mos i tregoni askujt çka patë, - u thotë dishepujve Jezusi - para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.” Prania e Moisiut dhe e Elisë, përfaqësues të Besëlidhjes së Vjetër, konfirmon se tani besimtarët duhet të dëgjojnë vetëm Jezusin. Duke u shndërruar, Krishti i përgatit dishepujt të shohin përtej shkandullit të kryqit, duke ua bërë të qartë se vetëm përmes mundimeve mund të arrijmë në triumfin e ngjalljes. Shën Pali Apostull, (Leximi II), i fton të krishterët të vuajnë me të për Ungjillin, për të marrë plotësisht pjesë në shëlbimin e dhuruar nga Krishti.

Të dielën e kaluar, Ungjilli na foli për kushtet njerëzore nën peshën e tundimeve të Djallit; kësaj së diele, na flet për shkëlqimin e fytyrës së Atit Qiellor që reflektohet jo vetëm në fytyrën e Birit të Tij të Njëlindurit por edhe në ne, që jemi vëllezërit e tij. Pedagogjia e mrekullueshme liturgjike që alternon kergimen e dhimbjes me atë lavdisë, duke na ftuar “ta mbështesim shkandullin e kryqit”.

Liturgjia e kësaj së diele na flet mbi Shndërrimin e Jezusit, mbi një mal të lartë. Këtu, Jezusi ua dëfton dishepujve para kohe lavdinë e vet, për t’i ftuar ta pranojnë e përshkojnë shkandullin e kryqit. Me liturgjinë e kësaj së diele Kisha pohon se: “Vetëm përmes mundimeve mund të mbërrijmë në triumfin e ringjalljes”. Në Shndërrimin e Krishtit shohim me zë syri orientimin e udhës sonë.

          Liturgjia e Fjalës së Zotit  

Lexim prej Librit të Zanafillës 12, 1-4

Zoti i tha Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj. Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj. Do ta bëj të madh emrin tënd. Ti do të jesh bekimi. Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty, do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës!” Atëherë Abrahami u nis sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe me të shkoi edhe Loti. Abrami kishte shtatëdhjetë e pesë vjet, kur u çua prej Harranit.  Fjala e Zotit! Falënderojmë Hyjin.

Psalmi  33

Na e jep, o Zot, mëshirën tënde, sepse në ty shpresojmë

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

 

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

 

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

 

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 1, 8-10

Fort i dashur, mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin dhe u dëftua tani me ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin. 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë: “Ky është Biri im: Atë dëgjoni!”

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut 17, 1-9

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.” Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.