2017-03-09 10:37:00

Papa Françesku emëroi Nunc Apostolik të ri në Shqipëri, Shkelqësinë e tij, imzot Charles John Brown,


 Papa Françesku emëroi Nunc Apostolik  të ri në Shqipëri, Shkelqësinë e tij, imzot Charles John Brown, kryeipeshkëv titullar i Aquileia, deri tani Nunc Apostolik në Irlandë.

Imzot Charles John Brown, lindi  në New York, më 13 tetor 1959. Kreu studimet e mëposhme akademike: Histori, pranë Universitetit të Notre Dame, Indiana (USA); Teologji, Universiteti i Oxfordit (Angli); Studime Mesjetare, Universiteti i Torontos (Kanada); Teologji Sakramentale, Universiteti i Shën Anselmit, Romë.

U shugurua meshtar më 13 maj 1989, në katedralen e Shën Patrikut, në   New York, për Kryedioqezën e New York-ut. Nga viti 1989, deri në vitin  1991 ishte zëvendës-famullitar pranë famullisë së San Brendan, në lagjen  e Bronx-it, New York.. Më 6 maj 2000, Imzot Charles John Brown u emërua Kapelan i Shenjtërisë së Tij, ndërsa në shtator 2009, Sekretar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar.

Nga viti 1994 është zyrtar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Një emërim i rëndësishëm, pas problemeve, lindur ndërmjet qeverisë së Dublinit e Selisë së Shenjtë lidhur me shpërdorimet seksuale të të miturve nga ana e klerit, që  tronditi Kishën në Irlandë e edhe atë në Romë. Më 3 nëntorin e vitit 2011, qeveria e Dublinit dha njoftimin për mbylljen e ambasadës pranë Selisë së Shenjtë.

E sot, 09. 03. 2017, Imzot Charles John Brown emërohet Nunc Apostolik në Shqipëri, duke zëvendësuar imzot Ramiro Moliner Ingles.

Nuk mund të mos e kujtojmë rifillimin dhe vijimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, rilidhur më 7 shtator 1991, në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë - e më 22 prill 1993, me ambasadorin  e parë për Republikën e Shqipërisë. Më 22 tetor 1991 u emërua nunci i parë apostolik, ipeshkvi indian, më pas kardinal, Ivan Dias, i cili i paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Republikës, asokohe Sali Berisha, më 18 dhjetor 1991. Më pas emërohej edhe ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë Apostolike, profesor Willy Kamsi, i cili ia paraqiti Letrat kredenciale Papës Gjon Pali II, më 22 prill 1993, pak para se të shtegtonte për në Shqipëri. Lidhja ndërmjet Selisë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë u pasua nga dy vizita papnore: e Gjon Palit II(25 prill 1993) dhe e Françeskut(21 shtator 2014) që, duke vizituar trojet shqiptare, nderuan martirizimin e popullit e të Kishës në Shqipëri, gjatë diktaturës komuniste! Pa harruar se pas shenjtërimit të Nënë Terezës, më 5 nëntorin e kaluar, u lumnuan, me miratimin e Selisë së Shenjtë, 38 bij të kësaj toke të larë me gjak martirësh.

 Emërimi i ri vjen pasi Nunci Apostolik i Vatikanit pranë Republikës së Shqipërisë, imzot Ramiro Moliner Ingles e ka përfunduar misionin e tij diplomatik  në Shqipëri (më 1 shtator 2016).








All the contents on this site are copyrighted ©.