2017-03-08 14:48:00

Kardinali Ravasi: gratë brenda mekanizmave të “politikës kulturore” në Kishë


Dje, në prag të 8 marsit, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit  “Këshilli i grave”, organizëm i përhershëm, themeluar brenda Dikasterit, për të krijuar hapësirën e duhur, që të dëgjohet zëri i grave. Tridhjetë e shtatë, anëtaret. Në paraqitjen e Këshillit, i pranishëm, edhe kardinali Gianfranco Ravasi, kryetar i Dikasterit vatikanas.

“Deri pak kohë më parë nuk kishte asnjë grua në nivelin drejtues të Këshillit Papnor të Kulturës. Mungonte, pra, “shëmbëlltyra e Zotit në gjithë përsosurinë e Tij”. Këto, fjalët e forta, me të cilat kardinali Ravasi paraqiti “Këshillin e grave”. Biblisti i mirënjohur kujtoi se Zoti e krijoi njeriun sipas shëmbëllimit të vet, mashkull e femër i krijoi. E tani – përfundoi - me lindjen e Këshillit në Dikaster, gjërat ndryshojnë. Si e pse ndryshojnë? Përgjigjet vetë kardinali Ravasi:

“Dëshirohet të jetë posaçërisht një sy femëror, që i shikon të gjitha veprimtaritë e Dikasterit tonë në mënyrën e vet. Kontributi i grave mund të ndihmojë në dy nivele. Nga njëra anë, sigurisht, në përmbajtje: në disa gjëra, që nuk i kishim parashikuar e që bëjnë pjesë në përvojën femërore të punës, edhe laike. Aspekti i dytë është ai i stilit, që i hap rrugën një leximi më global, më të shumëngjyrshëm, të realitetit dhe të temave, që prekim, duke e lehtësuar pak peshën e analizave vetëm teologjiko-filozofike, tipike për gjuhën kishtare".

Pyetje: - Papa kohët e fundit ka thënë: “Nuk është aq çështje funksionale, kjo e rolit të gruas në Kishë, është më shumë çështje e kontributit lidhur me mënyrën e mendimit, të reflektimit...

Përgjigje: - Në fakt e përjashtova shprehimisht mendimin se ishte shtesë, që i bëhet dikasterit, një lloj kozmetike. Jo, me këtë Këshill, gratë hyjnë brenda mekanizmave të “politikës sonë kulturore”.

Gratë e Këshillit janë pedagoge universitare, sipërmarrëse, politikane, artiste, gazetare. Janë edhe dy rregulltare e dy punonjëse të Vatikanit: kolegia e radios sonë, Roberta Gisotti e Micol Forti, drejtuese e Koleksionit të artit bashkëkohor në Muzetë e Vatikanit. E larmishme prejardhja kulturore, gjeografike e edhe konfesionale, me praninë dhe të një teologeje myslimane iraniane, Shahrazad Hushmand. Ç’përfaqëson prania juaj?

Përgjigje: Përfaqëson larminë. Ky dikaster, që përfaqëson kulturën, jep këtë mesazh: larmitë mund të jenë burim pasurimi e, nëse jetohen në mënyrë të harmonishme, sjellin vetëm të mirën!








All the contents on this site are copyrighted ©.