2017-03-06 15:30:00

Barcelonë: takimi evropian për të rinjtë dhe thirrjet


Si mund ta dëgjosh thirrjen e Krishtit në epokën e rrjeteve shoqërore? Si ta shoqërosh thirrjen për t’iu kushtuar Zotit? Si ta dallosh ‘fëshfërimën e erës së lehtë”, ndërmjet tingujve e nxitjeve të panumërta, që të ofron shoqëria multimediale? Ka shumë mundësi të jenë edhe këto, ndërmjet shumë të tjerash, pyetjet në qendër të takimit të Barcelonës, që do të mbahet më 28 deri më 31 mars, me temë: “Ecte me ta. (Lk 24,15) T’i shoqërojmë të rinjtë, për t’iu përgjegjur lirisht thirrjes së Krishtit”, organizuar nga Këshilli i Konferencave  Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), në bashkëpunim  me Konferencën Ipeshkvnore spanjolle dhe Kryedioqezën e Barcelonës.

Rreth 200 pjesëmarrës nga realitete e ndryshme të baritorisë rinore

Rreth 200, pjesëmarrësit: ipeshkvij, drejtues të punës baritore me të rinjtë, përfaqësues të botës universitare, të katekistëve e edhe të shoqatave laikale e të lëvizjeve kishtare. Si dishepujt e Emmaus, do të ecin, të prirë nga Ungjilli e të pritur, ndërmjet tjerësh, nga kardinajtë Angelo Bagnasco dhe Vincent Nichols, përkatësisht kryetar e zëvendës-kryetar i CCEE, si dhe nga imzot Juan Josè Omella Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës.

Lutja, Eukaristia dhe bukuria, në qendër të këtyre ditëve

Tematikat lidhur me të rinjtë dhe sfidat, që i shoqërojnë në rrethanat e sotme shoqërore, do të përballohen përmes shkëmbimit të praktikave të mira ndërmjet pjesëmarrësve. Lutja dhe kremtimi eukaristik do të jenë në qendër të vëmendjes në këto ditë pune. Shembull domethënës, i propozuar për kumtimin e Ungjillit përmes bukurisë, do të jetë vizita në Sagrada Familia, bazilikë e madhe katolike, kryevepër e arkitektit Antoni Gaudì, përfaqësuesi më i madh i modernizmit katalanas.

Me sytë drejtuar nga Sinodi i 2018-tës

Sytë e të gjithëve, natyrisht, drejtohen kah Sinodi i ardhshëm, i thirrur nga Papa në tetor 2018, në Vatikan, me temë: “Të rinjtë dhe thirrjet”. Fryti i punimeve të Barcelonës do të kalojë menjëherë në duart e Etërve sinodalë. Domethënëse, në këtë rast, prania e kardinalit Lorenzo Baldisseri, Sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, që do të drejtojë shkëmbimin e përvojës me veprimtarët baritorë. Më shumë informacion mund të merrni duke hapur faqen e internetit: http://symposium2017.ccee.eu/








All the contents on this site are copyrighted ©.