2017-03-05 17:40:00

Irlandë: Varre të përbashkëta me eshtrat e 800 fëmijëve, pranë shtëpisë së pritjes


U varrosën ndërmjet viteve 1921 e 1961, fëmijë vajzash-nëna, të strehuara në një strukturë murgeshash. Një komision po punon për ta sqaruar këtë fakt tragjik. Nuk ka padi për ushtrim dhune. Me sa duket, shkaku është varfëria dhe vdekshmëria e lartë e atyre viteve.

Çështja tashmë është kofirmuar: në kopshtin e shtëpisë–strehë të Tuam, në kontenë e Galway, Irlanda veri-perëndimore, janë varrosur trupat e 796 fëmijëve. Më të mëdhenjtë, vetëm tre vjeç.

Të gjithë u gjetën brenda një grope të përbashkët, strukturë e ndarë në qeli, por pa rrasa e pa emra. Prova e datimit me karbon tregon se vdekjet duhet të jenë të periudhës ndërmjet viteve 1925-1961, kur pranë terrenit gjindej struktura e strehimit për vajza-nëna, drejtuar nga Bons Secours Sisters (Motrat e Ndihmës së Mirë), kongregatë katolike, e themeluar në vitin  1822.

Ferishtet e varrosura këtu, duhet të jenë, prandaj, fëmijë të lindur nga këto nëna e të vdekur menjëherë pas, nga sëmundjet dhe ushqimi i pamjaftueshëm. Analizat i vërtetojnë pohimet e historianes vendase, Catherine Coreless, që pati gjetur çertifikatat e vdekjes së qindra fëmijëve. Mbi bazën e këtyre deklaratave, bërë në vitin 2014, nisën hetimet e mbështetura nga Kisha irlandeze. Kryeipeshkvi i Dublinit, Diarmuid Martin, në një intervistë dhënë agjencisë Sir, i pati nxitur institucionet ta çojnë përpara hetimin, për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Jo vetëm në Tuam, por edhe në 17 institutet e tjera katolike për nëna të pamartuara, që ekzistonin asokohe në Irlandë. Në vitin 2015, qeveria ngriti një komision ad hoc, që e nisi punën pikërisht nga Tuam, duke koordinuar gërmimet  dhe analizat. Derisa u arrit në rezultatin që, ministrja për Fëmijërinë, Katherine Zappone, e quajti “i dhimbshëm”. Fëmijët tani do të varrosen në varre të regjistruara.

Motrat e Ndihmës së Mirë, në një komunikatë, nuk mundën t’i konfirmojnë lajmet e fundit, por ripohuan se janë gati t’i mbështesin hetimet në vijim, në Tuam. Kujtuan edhe se, pas mbylljes së strukturës, më 1961, i gjithë dokumentacioni u transferua në Bashkinë e Galway.

Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, mbi bazën e konventave shoqërore të vendit, vajzat e mbetura shtatzëna jashtë martese, dërgoheshin në struktura, ku mund t’i nxirrnin në dritë fëmijët e tyre. Këta të fundit, zakonisht, bijësoheshin. Praktikë kjo, e ritreguar - me gjithëse me ngjyrime të theksuara romaneske - në librin e Martin Sixsmith, nga i cili u frymëzua skenari i filmit “Philomena”.

Shumë ferishte vdiqën pak pas lindjes: duhet kujtuar se vdekshmëria fëmijnore ishte tepër e lartë në Irlandën e kohës, ku penicilina, e zbuluar në vitin 1928, vështirë se mund të përdorej nga pjesa më e madhe e popullsisë, sepse tepër e shtrenjtë. E ndërmjet fëmijëve të paligjshëm, pëqindja e të vdekurve, për fat të keq, ishte më e lartë, sipas statistikave të qeverisë. Pjesa më e madhe e fëmijëve varrosej brenda vetë instituteve, në gropa të përbashkëta.








All the contents on this site are copyrighted ©.