2017-03-04 17:05:00

Thirrja: Lutje e frymëzuar nga Ungjilli i së dielës I të Kreshmëve


Thirrja: lutje e frymëzuar nga Liturgjia e Fjalës së Zotit, posaçërisht nga Ungjilli (Mateu 4,1-11) i së Dielës I të Kreshmëve:Tundimi 

Më thirre, o Zot, i etërve të mi,

më thirre të dal nga gracka e mëkatit

e të shkel atje, ku lulëzon liria.

Nga skllavëria e lashtë

unë dal shtigjeve të tua

me gëzim e ankth ngarkuar...

Sepse liria jote është horizont pa masë,

por është dhe kryq, e kryq i rëndë

sa barra e botës

që rrotullohet prej mijëra vjetësh

pa e dijtë se ku po shkon.

E di, liria s’është veç diell

është edhe terr e tundim:

e unë luhatem

prej kulmit të botës, si shrregull

ndërmjet Fjalës sate

edhe tundimit të djallit:

e më duhet të zgjedh

mes dritës e  territ:

me frikë në sy,

me mall për dritën Tënde

që lind pas kryqit,

pa përendim.

Atëhere toka edhe njeriu i saj

der’ dje të vjetër,

shndërrohen në krijesa të reja:

krijesa krejt të lira!

Pasi përshkohen nëpër lirinë

e Kryqit tënd, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.