2017-03-04 18:48:00

Papa: muzika kishtare të japë bukurinë e Zotit, jo vizione të përmallshme


Muzika kishtare e ka për detyrë të na përcjellë bukurinë e Zotit, prandaj nuk duhet të jetë kurrë e rëndomtë dhe e përciptë. Këtë pohoi Papa në fjalën drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit ndërkombëtar kushtuar Muzikës Kishtare, organizuar nga dikasteri i Kulturës dhe Edukimit katolik, të cilët i priti sot në Vatikan. Papa nënvizoi se Kisha duhet ta mbrojë pasurinë e trashëguar nga e kaluara, por duhet të punojë edhe për ta inkulturuar muzikën kishtare në gjuhët muzikore të aktualitetit.

Muzika kishtare duhet t’i ndihmojë besimtarët të hyjnë në Misterin e Zotit, ta kundrojnë e ta perceptojnë. Papa Françesku e shtjelloi fjalimin e tij duke  u mbështetur kryesisht mbi Udhëzimin “Musicam Sacram”, në 50-vjetorin e botimit e, menjëherë pas, vërejti se Koncili II i Vatikanit e kuptoi nevojën e besimtarëve për të marrë pjesë në një liturgji, së cilës të mund t’ia kuptonin plotësisht gjuhën.

Muzika kishtare të inkulturohet në gjuhën muzikore të aktualitetit

Muzika kishtare dhe kënga liturgjike - vijoi Papa Françesku - ka një mision të dyfishtë. Për Kishën, nga njëra anë, duhet të mbrohet e të vlerësohet  pasuria shumëformëshe e trashëguar nga e kaluara, duke e përdorur me drejtpeshim në të sotmen e duke shmangur rrezikun e një vizioni nostalgjik ose arkeologjik:

“Nga ana tjetër, është e nevojshme që muzika kishtare dhe kënga liturgjike  të jenë plotësisht të inkulturuara në gjuhët artistike e muzikore të aktualitetit: të dinë ta mishërojnë e ta shprehin Fjalën e Zotit në këngë, tinguj, harmoni, që e bëjnë të ngazëllohet zemrën e bashkëkohësve tanë, duke krijuar edhe klimën e duhur emotive, për të marrë plotësisht pjesë në misterin, që kremtohet”.

Jo, muzikë e cektë dhe e rëndomtë, në dëm  të bukurisë

Natyrisht - komentoi Papa - takimi me modernitetin dhe hyrja e gjuhëve të  folura në Liturgji, krijoi jo pak probleme: gjuhësh, formash ose gjinish muzikore:

“Nganjëherë mbizotëron një farë mediokriteti, cektësie; krijohet muzikë e rëndomtë, në dëm të bukurisë dhe të thellësisë së kremtimeve liturgjike. Prej këndej, protagonistët e shumtë të kësaj fushe, muzikantë e kompozitorë, drejtorë e koristë të scholae cantorum, që e gjallërojnë liturgjinë, mund të japin ndihmesën e tyre, posaçërisht cilësore, për muzikën kishtare e këngën liturgjike”.

Prandaj - kujtoi Papa Françesku - i duhet kushtuar vëmendje edhe formimit muzikor të atyre, që përgatiten të bëhen meshtarë, në dialog me rrymat muzikore të kohës sonë, me instancat e zonave të ndryshme kulturore dhe me frymë ekumenike.

“Muzika kishtare dhe kënga liturgjike - përfundoi Françesku – e kanë për detyrë t’i japin kuptim lumnisë së Zotit, bukurisë, shenjtërisë së Atij, që na mbështjell me një re të ndritshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.