2017-03-04 17:00:00

Lutje e frymëzuar nga Liturgjia e Fjalës së Zotit e së Dielës I të Kreshmëve:Tundimi


Lutje e frymëzuar nga Liturgjia e Fjalës së Zotit, posaçërisht nga Ungjilli (Mateu 4,1-11) i së Dielës I të Kreshmëve:Tundimi 

Nëse ti je vërtet  Bir i Zotit....

kështu u tall shejtani me Ty,

pse duhet të vuash nga etja,  uria

si vuan i vdekshmi në këtë jetë?

Ç’ndryshim, nëse forcën përdor,

e gurët i shndërron në bukën e përditshme?

E dhimbje e vdekje i zhduk përgjithmonë

prej faqes së dheut?

Pse ti, Bir Zoti, s’i thith turmat pas teje?

Mjafton një mrekulli, një e vetme

për t’ia ndryshuar faqen e zezë kësaj bote!

Pse ti, Bir Zoti

nuk do ta kryesh misionin tënd pa dhimbje?

E udhën ta shkelësh pa kryq përmbi shpinë?

Ti mund  t’i zgjedhësh mes turmës

ndjekësit e tu,

gati të flijohen për ty!

E edhe udhët përpara teje

të tëra mund t’i shkelësh.

pa fshikullimë kamxhiku...

Po pse atëhere, mundohesh e mundon?

Veç pse do të jesh Biri i Zotit,

ashtu si do ti – e jo unë!?”.

Kështu u tall shejtani me ty,

O Zoti im i kryqëzuar!

Po Ti, fli e hyjnueshme, iu binde Atit,

jo djallit!

Gjakun e derdhe për racën njerëzore!

Me krahë të gozhduar ia rroke,

pjesën e ligshtë të shpirtit

dhe e nxore nga flaka – në fllad:

“Ashtu si desh Zoti, jo djalli!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.