Këto që po jetojnë sivjet të krishterët, janë “Kreshmë të hidhura”, e ndër faktorët e shumtë të vuajtjes e të hidhërimit, që e mundojnë Kishën e Sirisë, është hemorragjia e meshtarëve të cilët, gjatë luftës civile, u larguan nga vendi, duke i lënë besimtarët e mbetur, pa ngushëllimin baritor. Kështu shkruan kryeipeshkvi Samir Nassar, në krye të heparkisë së Maronitëve, në Damask, në Letrën e tij baritore për Kreshmë.
Goditje të rënda për pakicën e krishterë
“Në Famullitë - shkruan kryipeshkvi Samir Nassar në Letrën kreshmore - rimarrë nga Agjencia Fides - numri i besimtarëve është pakësuar dhe veprimtaritë baritore janë kufizuar shumë. Vetëm nga Kisha e Damaskut është larguar një e treta e klerit (27 meshtarë). Goditje e rëndë, që e ligështon pakicën e krishterë e që ndjehet prej kohe. Meshtarët e mbetur - kujton kryeipeshkvi maronit - mendojnë se ka shumë mundësi që edhe të tjerët të nisen. Presin vetëm që agjencitë humanitare të arrijnë e t’i ndihmojnë të bashkohen me familjet e ndara.
Kreshmët, kohë në shkretëtirë, drejt Krishtit
Pikërisht në këto kushte braktisjeje e varfërie - përfundon kryeipeshkvi Samir Nassar - Kreshmët e 2017-tës na ofrojnë një kohë, të cilën duhet ta kalojmë në shkretëtirë, që t’i shqyrtojmë përgjegjësitë tona në Kishë, ndërmjet besimtarëve në vështirësi, e t’u hapim rrugën kah Krishti i Ngjallur. Krishti, dritë e botës, që i njeh zemrat e burrave e të grave, na thotë: “Ejani tek unë të gjithë ju, që jeni të lodhur e të këputur nga barra e rëndë e unë do t'ju jap prehje” (Mt 11, 28).
All the contents on this site are copyrighted ©. |