2017-03-03 17:50:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së I të Krezhmëve ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit, të Dielën së Parë të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Qëllimi i vitit kishtar a liturgjik, është të takohemi me Zotin e Jetës. Koha e kreshmëve, të cilën e kemi filluar të Mërkurën e Përhime, javën që kaloi, është një periudhë shpirtërore e liturgjike e fortë, që paraprinë e përgatit kremtimin e ngjarjes së madhe të Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit.

E diela e parë e Krezhmëve ka gjithmonë si temë kryesore në Liturgjinë e Fjalës, tundimin. Jezusi, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu 4,1-11, na paraqitet përballë tundimit. Është një fakti që jo vetëm se nuk duhet të na shkandullojë por, madje, duhet të na sigurojë, sepse kështu dimë se tundimi lidhët ngushtë me natyrën tonë njerëzore, të cilën Jezusi e mori mbi vete krejtësisht, me përjashtim të mëkatit (khr Hb 4,15). Ngjarja e tundimeve të Jezusit në shkretëtirë, për çka flet Ungjilli, na siguron se tundimi është i tejkalueshëm, se mund të mposhtet, siç e vërteton Jezusi, me shembullin e tij. Po ne dimë edhe se Ai na jep, edhe me hirin e Tij Hyjnor, forcën për t’i qëndruar besnik vullnetit e dashurisë së Zotit Atë.

Pra, liturgjia e Fjalës, posaçërisht Ungjilli, tregon për Jezusin në shkretëtirë, i cili, duke fituar mbi tundimet e djallit, na mëson edhe ne të mos dorëzohemi para joshjes së mëkatit e para tundimit. Fjala e Zotit na ndihmon të kuptojmë si tundimet e qoftëlargtit, ashtu edhe mësimet e Krishtit. Djalli e përdor Biblën për ta thyer Jezusin e në fillim, ndokujt mund t’i duket sikur ka të drejtë. Por sa më shumë ngul këmbë me pyetjet e veta, aq më i qartë bëhet edhe synimi satanik, i cili kërkon adhurimin e vetvetes dhe mposhtjen e njeriut. Përgjigjet e Krishtit para provokimeve të djallit kanë shije tjetër, sepse flasin për besimin dhe dashurinë ndaj Atit Qiellor.

Biri i Zotit, nuk ka etje për pushtet, as e shet Atin e vet për fitime personale: zemra e Tij është për shpëtimin e njerëzimit. Ndërsa Adami dhe Eva u thyen para kurthit të tunduesit të madh të të gjitha kohërave, siç na shpjegon Leximi I nga Libri Zanafillës (Zn 2,7-9;3,1-7), tani, Jezusi, që i bindet Atit Qiellor, u dëshmon besimtarëve dinjitetin e birit të Zotit, i cili u jepet nga hiri i Pagëzimit, siç nënvizon Shën Pali në Letrën e tij drejtuar Romakëve (Rm 5,12-19).

Kjo kohë Krezhmësh na dhashtë përvuajtërinë për t’i pranuar mëkatet tona. Shpirti Shenjt, na priftë drejt Atit Qiellor, i cili deshi ta bëjë të dukshme në Krishtin, Birin e Tij, dashurinë që shëlbon. E siç shkruan shën Augustini: “Të mos ndalemi në faktin se Jezusi u tundua, por se Jezusi u tundua dhe fitoi për ne”.

                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë  Zan 2, 7-9; 3, 1-7

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtini frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje, e në të e vendoi njeriun që e kishte krijuar. Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë, e në midis të parrizit pemën e jetës e pemën e dijes të mirës e të së keqes.  Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?” Gruaja i përgjigji: “Ne i hamë frytet e pemëve që janë në kopsht; porse për frytin e pemës që është në midis të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim.” Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. Madje Hyji e di se kur do të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen.”  Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frytit të saj dhe hëngri. Mandej i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete. Fjala e Zotit.

 

PSALMI 51

Ref: Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar

—————————————————-

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.

——————————————–

Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.

———————————————-

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

————————————————-

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

———————————————–

Leximi i dytë    Rom 5, 12-19

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… – në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte qysh prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.  Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm – Jezu Krishtit. E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja – për shkak të një njeriu të vetëm – me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin – Jezu Krishtin.  Prandaj, mëkati i njërit – dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit – të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë. Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjalë që del nga goja e Hyjit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Mt 4, 1-11

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Por Jezusi i përgjigj: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’.”  Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Për ty Hyji do t’ju urdhërojë engjëjve të vet, dhe ata do të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur’!” Jezusi i përgjigji: “Porse Shkrimi shenjt thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd’!”  Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron.” Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djallë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbej vetëm Atij’!” Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin. Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.