2017-03-03 00:00:00

Atë Zollner: qëndrimi i Papës ndaj abuzimeve, më i ashpër se kurrë


Pati shumë jehonë, dorëheqja, më 1 marsin e kaluar, e Marie Collins, viktimë e abuzimit, prej Komisionit për mbrojtjen e të miturve, themeluar nga Papa Françesku më 2014. Në takimin e saj me kardinalin Sean O’Mally, kryetar i këtij Komisioni, përveç letrës së dorëheqjes  drejtuar Papës, i cili e pranoi, Collins nënvizoi edhe se është e zhgënjyer  nga mungesa e bashkëpunimit të zyrave të tjera të Kuries Romake me Komisionin. Gjithsesi ky vendim, i pritur me keqardhje, nuk e ngadalëson luftën kundër plagës së pedofilisë në Kishë. Është i bindur atë Hans Zoller, anëtar i të njëjtit Komision dhe kryetar i Qendrës për Mbrojtjen e të Miturve në Universitetin Gregorian, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Marie Collins më pati njoftuar se mendonte të largohej nga Komisioni, rreth katër javë më parë. Natyrisht më vjen shumë keq. Të trishton fakti, që ajo ndjeu nevojën të largohej. Sipas meje, kjo ndodhi për shkak të grumbullimit të shumë zhgënjimeve që - e kuptoj fare mirë - mund të pësojë një viktimë e abuzimit, ngaqë nuk shikon atë shpejtësi, atë ngulm, që do të dëshironte, në përgjigjet e disa zyrave të Selisë së Shenjtë, siç ka pohuar ajo vetë.

A ka  pasur reagime nga ana e viktimave të shpërdorimeve, për këtë vendim të Marie Collins?

Më vjen tejet keq, sepse natyrisht shumë nga viktimat e abuzimeve u trishtuan mjaft dhe shprehën pakënaqësinë e tyre, ndonëse e kuptojnë që situata është shumë e ndërlikuar, mbasi nuk flasim për një institucion, që reagon me të njëjtën shpejtësi në të gjitha zyrat e veta. Vetë Maria pohoi se do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen, si kemi bërë edhe vitin e kaluar, në formimin e anëtarëve të vetë Kuries. E, siç kujtoi në një nga intervistat, bilanci i punës së saj në Komision - janë fjalët e Marisë  - është pozitiv, e prej këndej ajo pohon se do të vijojë impenjimin e se duhen bërë përpjekje për ndryshimin e mendësisë. Këtu flasim për ndryshimin e kulturës, që nuk mund të bëhet aty për aty, por duhet shumë durim. Sidoqoftë e kuptoj se ndoshta i është sosur durimi. Duhet shkuar përpara, e unë kam besim të plotë se mund të jemi më energjikë, mbasi mendoj që mesazhi i saj arriti aty ku duhet.

Me dorëheqjen e Marie Collins, a ka rrezik që ritmet e punës të ngadalësohen e të dobësohet edhe besueshmëria e opinionit publik për Komisionin?

Natyrisht rreziku nuk mungon. Zëri i viktimave nuk  përfaqësohet nga vetë personat e identifikuar si viktima, por kjo s’ do të thotë se nuk është i pranishëm ose i përfaqësuar, sepse ne të gjithë, kardinali O’Malley para të gjithëve, jemi takuar me qindra viktima të abuzimeve. Zëri i viktimave do të jetë i pranishëm, e unë jam i sigurt se edhe me ose ndoshta pikërisht për, mungesën e Maries, do të jemi më të vëmendshëm në dëgjimin e asaj, që mendojnë, që ndjejnë, që perceptojnë  viktimat, si lidhur me punën e Komisionit, ashtu edhe me atë, që  është detyra e Komisionit, për t’i përcjellë Atit të Shenjtë  rekomandime të sakta.

Kjo situatë krijohet kur jemi fare pranë katërvjetorit të zgjedhjes së Papës Françesku. Siç thatë edhe ju, procesi ndoshta nuk është aq i shpejtë, në krahasim me atë, që shpresohej, por a mund të themi se lufta kundër pedofilisë në Kishë është forcuar në këto vitet fundit?

Sigurisht po. Mund ta dëshmoj, duke pasur parasysh vizitat e e mia  në të pesë kontinentet, në rreth 40 vende. Pas dy javësh do të jem në Afrikën e Jugut e në Malawi. Janë vende ku, pak vjet më parë, kjo temë ishte tabù. Jemi duke bërë edhe shumë gjëra të tjera: në maj do të shkojmë në Bangkok për Federatën e të gjitha Konferencave Ipeshkvnore të Azisë. Jemi para një ndryshimi mjaft të shpejtë në këtë fushë, në krahasim me ritmet e zhvillimit të Kishës, që është institucioni më i madh e më i lashtë në botë. Për fat të keq, nuk është edhe aq i shpejtë, sa do ta dëshironim ne të gjithë, por një organizëm  prej një miliard e 300 milionë njerëzish, nuk mund të vihet në lëvizje brenda një dite të vetme, sepse flasim për ndryshim mendësie, siç thotë edhe vetë Marie Collins në një nga intervistat e saj, dhënë pak ditë më parë. Kjo nuk mund të bëhet sot me nesër.

Papës Françesku i njihet, në përgjithësi, edhe nga mediat që nuk janë pranë Kishës, angazhimi i fortë kundër plagës së pedofilisë. Por, kohët e fundit, disa media e kanë kritikuar Papën, duke theksuar se nuk është edhe aq i ashpër me meshtarët, që kanë abuzuar të miturit. Mendimi juaj?

Në njërin nga artikujt u paraqit një rast, i cili më pas u vlerësua si të ishte ndryshim i përgjithshëm i sjelljes së Papës ndaj atyre,  që kanë kryer shpërdorime. Kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë, por është krejt e kundërta! Rreshti i parë i këtij artikulli thekson se ashpërsia është zbutur... Jo, Papa e tha edhe dy javë më parë në parathënien e shkruar për librin e njërës nga viktimat (Daniel Pittet). E tha qartë cili është e edhe do të vijojë të jetë, qëndrimi i tij!








All the contents on this site are copyrighted ©.