2017-03-03 14:34:00

Tek Papa më 24 mars liderët e Bashkimit Evropian


Papa Françesku do të presë, më 24 mars, krerët e Shtetit dhe të Qeverisë të Bashkimit Evropian, të pranishëm në kryeqytetin italian për kremtimet e 60-vjetorit të “Traktatit të Romës”. Njoftimin e jep drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke. Takimi do të mbahet në orën 18.00, në Sallën Regia të Pallatit Apostolik, në Vatikan.

Kujtojmë, me këtë rast, se në fjalimin e mbajtur në Parlametin Evropian, në Strasburg, më 25 nëntor 2014, Papa e pati lavdëruar Bashkimin Evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por duke vënë në dukje edhe rrezikun e rënies në respektimin e të drejtave individualistike, që harrojnë se çdo njeri lidhet me një kontekst shoqëror, në të cilin të drejtat e detyrat e tij lidhen me ato të të tjerëve e dhe me të mirën e përbashkët të vetë shoqërisë. Më pas pati përmendur vlerat, që ndërtuan Evropën: dinjiteti, paqja, solidariteti, susidiariteti:

         “Një Evropë, që nuk është më e aftë t’ia hapë zemrën përmasës transhendentale të jetës, është një Evropë, e cila, dalëngadalë, rrezikon të humbasë shpirtin, edhe atë ‘shpirt humanist’, që e do dhe e mbron aq shumë”.

Pastaj, ftesa për të mos pasur frikë nga krishterimi:

         “Në këtë kuadër, e konsideroj themelor, jo vetëm kontributin që ka dhënë krishterimi në të kaluarën për formimin shoqëroro-kulturor të kontinentit, por edhe, e sidomos, kontributin që synon të japë sot e në të ardhmen për rritjen e tij. Ky kontribut nuk përbën rrezik për laicitetin e shteteve dhe për pavarësinë e institucioneve të Bashkimit Evropian, por është pasurim”.

         Papa Françesku vuri në dukje se Kisha është e gatshme të dialogojë haptas me institucionet evropiane, pasi është e sigurt se Evropa do të dijë ta përdorë si duhet trashëgiminë e saj fetare, duke shfrytëzuar pasurinë e mundësitë e fesë, që e largojnë Kontinentin edhe nga ekstremizmat e botës së sotme:

         “…mendoj se Evropa është një familje popujsh, të cilët mund t’i ndjejnë pranë institucionet e Bashkimit, nëse ato do të dinë të kombinojnë me urti idealin aq të dëshiruar të unitetit me ndryshueshmërinë e secilit, duke vlerësuar traditën individuale; duke u bërë të vetëdijshme për historinë dhe rrënjët e Evropës; duke u çliruar nga manipulimet dhe fobitë e shumta. Vendosja e njeriut në qendër do të thotë, para së gjithash, ta lejosh të tregojë lirisht fytyrën e krijimtarinë e vet, si në nivelin individual, ashtu edhe si popull”.

Duke marrë “Çmimin Karli i Madh”, në maj të vitit të kaluar, Papa pati shprehur ëndrrën e vet për Evropën:

“Me mendje e me zemër, me shpresë e pa nostalgji të kota, si biri që rigjen në Evropën-nënë rrënjët e veta të jetës e të fesë, ëndërroj një humanizëm të ri evropian, “një rrugë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen “kujtesë, guxim, utopi e shëndoshë e njerëzore”. Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën. Ëndërroj një Evropë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Evropë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut. Ëndërroj një Evropë, ku të rinjtë të thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, ta duan bukurinë e kulturës e të jetës së thjeshtë, të pandotur nga nevojat pa fund të konsumizmit; ku martesa dhe lindja e fëmijëve të jetë përgjegjësi dhe gëzim i madh, por jo problem i shkaktuar nga mungesa e një pune mjaftueshmërisht të qëndrueshme. Ëndërroj një Evropë të familjeve, me politika vërtet efektive, me në qendër fytyrat e jo numrat, lindjet e fëmijëve e jo shtimin e pasurive. Ëndërroj një Evropë që nxit e mbron të drejtat e secilit, pa harruar detyrat ndaj të gjithëve. Ëndërroj një Evropë për të cilën të mos thuhet se impenjimi për të drejtat e njeriut ka qenë edhe utopia e saj e fundit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.