2017-03-02 12:39:00

Papa: feja ideologjike adhuron një zot, që nuk i ka plagët e vëllezërve


Busulla e të krishterit është të ndjekë Krishtin e kryqëzuar, jo një zot të pakorp, por Zotin e mishëruar, që mbart mbi vete plagët e vëllezërve: kështu u shpreh Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, në Vatikan. Në fillim të Kreshmëve jehon fort ftesa për t’u penduar. Për të bërë kthesë. Për t’u kthyer kah Zoti! E liturgjia e ditës e vë këtë ftesë përballë tre realiteteve: njeriut, Zotit e udhës. 

Realiteti i njeriut është mundësia për të zgjedhur ndërmjet së mirës e së keqes. “Zoti na bëri të lirë, mundësia për të zgjedhur është jona” - pohoi Papa -  e megjithatë, Zoti nuk na lë kurrë vetëm, na e tregon udhën e së mirës me Urdhërimet e Tij. Pastaj është realiteti i Zotit: “Dishepujt e kishin vështirë ta kuptonin udhën e kryqit të Krishtit. E kjo, sepse Zoti e mori të gjithë realitetin njerëzor, por pa mëkatin. Nuk ka Zot, pa Krishtin. Një Zot pa Krishtin, ‘pa korp e gjak'” nuk është i vërtetë":

“Realiteti i Zotit, është Zoti i bërë Krisht, për ne. Për të na shpëtuar. E kur largohemi nga kjo, nga ky realitet e largohemi nga Kryqi i Krishtit, nga vërtetësia e plagëve të Zotit, largohemi edhe nga dashuria, nga mëshira e Zotit, nga shëlbimi e ecim në udhën ideologjike të Zotit, larg Tij. Nuk është Zoti, që vjen tek ne e bëhet i afërt, për të na shpëtuar, e edhe vdes për ne. Ky është realiteti i Zotit”.

Papa kujtoi dialogun ndërmjet një agnostiku e një besimtari, rikrijuar nga  një shkrimtar francez i shekullit të kaluar: “Agnostiku vullnetmirë e pyeste besimtarin: ‘Po si mund të... për mua problemi është se si mund të jetë Krishti Zot: nuk mund ta kuptoj kurrsesi këtë. Si qenka Krishti Zoti?'”. E besimtari i gjegji; “Eh, për mua ky nuk është fare problem. Problemi do të ishte nëse Zoti nuk do të ishte Krishti". Ky është realiteti i Zotit: Zoti i bërë Krisht, Zoti i mishëruar. E ky është themeli i veprave të mëshirës. Plagët e vëllezërve tanë janë plagët e Krishtit, plagët e Zotit, sepse Zoti u bë Krisht. Realiteti i dytë. Nuk mund t’i jetojmë Kreshmët, pa këtë realitet. Duhet të pendohemi e të kthehemi kah Zoti, jo kah një Zot abstrakt, por kah Zoti konkret, që u bë Krisht!

E në fund, është realiteti i tretë, ai i udhës. Jezusi thotë: “Nëse ndokush dëshiron të ecë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet mbi shpinë çdo ditë e të më ndjekë pas!”: “Realiteti i udhës, është realiteti i Krishtit: të ndjekësh Krishtin, të bësh vullnetin e Tij, ta marrësh kryqin ditë për ditë e ta mohosh vetveten, për të ndjekur Jezusin. E ai na e thotë qartë se duke ecur në këtë udhë, ne humbasim jetën, për ta fituar më pas; është humbje e vazhdueshme e jetës, humbje e gjithë asaj, që dëshiroj; humbje e rehatisë, ecje e vazhdueshme  në udhën e Jezusit, gjithnjë në shërbim të të tjerëve, në adhurim të Zotit. Kjo është udha e drejtë!”.

E vetmja udhë e sigurt - përfundoi Papa - është të ndjekësh Krishtin e kryqëzuar, shkandullin e Kryqit. E këto tre realitete: njeriu, Zoti e udha “janë busulla e të krishterit”, që të mos ecë kurrë në rrugën e gabuar.  








All the contents on this site are copyrighted ©.