2017-03-02 11:04:00

Më 2 mars kujtojmë përvjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit


Sot më 2 mars kujtojmë përvjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit, një nga figurat e shquara të historisë politike e kulturore shqiptare. Luigj Gurakuqi u vra në Bari të Italisë nga një agjent i shtyrë dhe i paguar nga klika zogiste, më 2 mars 1925. Luigj Gurakuqi është një nga figurat e shquara të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare, poet e publicist, Hero i Popullit.

Luigj Gurakuqi qe firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist.
Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbi Shkodrës dhe bashkëhartues me I. Qemalin i Memorandumit të Greçës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën « Luz Gurakuqi ». 
Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshëm të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari në 2 mars 1925. 

Ai luftoi jo vetëm për një Shqipëri të lirë e të pavarur, por edhe për një shtet modern, i cili përmes reformave demokratike të zhdukte prapambetjen, të ndryshonte me shpejtësi pamjen e tij, të fitonte kohën e humbur gjatë shekujve të robërisë.

Fan Noli: Elegji për Luigj Gurakuqin

Nëno moj, mbaj zi për vllanë, 
Me tre plumba na i ranë, 
Na e vran' e na e shanë, 
Na i thanë trathëtor.


Se të deshte dhe s'të deshnin, 
Se të qante kur të qeshnin, 
Se të veshte kur të çveshnin, 
Nëno moj, të ra dëshmor.


Nëno moj, vajto, merr malin, 
Larot t'a përmbysnë djalin 
Që me Ismail Qemalin 
Ngriti flamur trimëror.


Nëno moj, m'a qaj në Vlorë 
Ku të dha liri, kurorë, 
Shpirt i bardhë si dëborë; 
Ti s'i dhe as varr për hor.


Nëno moj, ç'është përpjekur 
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur, 
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur, 
Ky Vigan Liberator.

 

Nga At Gjergj FISHTA ofm: PENG  NDERIMI

ALOIS (LUIGJ) GURAKUQIT  “Shqiptar i vlefshëm dhe ndêra e djelmnisë shkodrane” At Gj. Fishta.

                  I kandshëm asht e plot shije

                  Ai i lehtë zhumhur, që gurra

                  Jep tue gurgullue npër hije

                  E nëpër rranjë e curra,

                  Kah e argjendtë luleve ulet

                  E puth përmallshëm lulet,

                  Që si n’ pasqyrë – rrinë n’amë t’ saj tu’ u kqyrë.

 

                  Asht edhe i butë e i kandshëm

                  Ai i ambli fllad ere,

                  Që kah i qetë e erandshëm

                  Fryn nëpër ag pranvere;

                  Me landë shkon tue zhabllue

                  Ose me gji t’ ritue

                  Prej vesës s’ qiellës – së ndonjë drandofilles.

 

                   Ma e ambël, por, asht fjala

                   E një miqësie t’ vërtetë,

                   Që, kur t’ na marrë vala

                   E pellgut t’ zi t’ kësaj jetë,

                   Tue na ngushtue ndër gjire,

                   E ndiejmë, e që fatmire

                   Zemrat na i kallë – me një shpresë të gjallë.

 

                   Po, o Gurakuq, për mue

                   E nalta fjala jote,

                   Që me Vargnim  m’ ke çue,

                   Kur zemra një herë m’ ankonte,

                   Për mue kje ajo peng bese

                   E kje për mue yll shprese,

                   Që shpirtin m’ shndriti – zemrën ma flladiti.

 

                   Oh! Po: Ajo fjalë ngushllimi

                   N’ zemer ashtu m’ ka ardhë

                   Si vesa prej agimi,

                   Që bie n’ një lil të bardhë;

                   E atëbotë, si kah pranvera

                   Mbijnë vjollca e lule t’tjera,

                   Ashtu mendimet – patën n’ mue burimet.

 

                   Po, atëbotë për Atme e Fe,

                   Për punë të hijshme e t’ mbara

                   Zemra ma fort m’u nxe;

                   E, ma fort se përpara,

                   Me shpirt unë Zanës iu trova,

                   Edhe atë burrë këndova,

                   Që n’ flakë t’ barotit – mbeti për tokë t’Kastriotit.

 

                   Pra, i drejtë në kjoftë se moti

                   Krejt zanin s’ ma qet n’ harresë

                   Fjalës sate, (e cila m’ploti

                   Zemrën me t’ ambël shpresë,

                   Se një kohë, dikur, ma e bardhë

                   Shqipnisë ka për t’i ardhë),

                   Unë me evari – për nder, po, do t’ia dij.

 

                   Prandaj, për peng miqësie

                   Kam nda me t’i kushtue

                   Këto ushtrime poezie,

                   Që ti, (due me shpresue),

                   N’ kurrsend s’ ke për t’i ba,

                   Sadoqë s’ duhen gja:

                   Pse n’to pa nda – mue mik ti ke me m’ pa.

                   1909.

Kjo poezi e At Gjergj Fishtës asht marrë nga Vepra Letrare 1, Lirika, Mrizi i Zanave,

Përgatitë nga Dr. Ndue Zef Toma, Tiranë 2001. 








All the contents on this site are copyrighted ©.