2017-03-01 11:59:00

Murgu dhe i Kryqëzuari


Një murg me emrin Serafin, i kërkonte me ngulm Zotit të mbërthehej mbi kryq, në vendin e Tij. Sepse dëshironte me gjithë shpirt të ndante me të edhe mundimet. Lutu e lutu e një ditë ia mbushi mendjen. I Kryqëzuari pranoi, por me një kusht. Zoti Jezus i tha: “Mirë, pra, veç hesht! Mos e hap fare gojën, sido që të vejë puna!”. Serafini, murg siç ishte, i mësuar me rreptësi, bindje e heshtje, premtoi menjëherë. Atëherë Krishti zbriti nga kryqi e aty u mbërthye murgu Serafin.

Hyri sakaq, aty, një pasanik për t’u lutur e, ndërsa lutej, i rrëshqiti nga xhepi një qeskë plot me para. Si kreu lutjen, u ngrit e u nis e shkoi. E murgu deshi t’i  tregonte se i kishte rënë qesja me para, por ishte zotuar të heshtë, e prandaj edhe nuk bëzani.

Menjëherë pas, hyri në kishë një leckapan, nisi të lutej, por papritmas i shkuan sytë tek qesja me para. Si e pa, e mori, e fshehu në xhep e ia dha vrapit. Serafini deshi t’i thoshte se nuk duhej ta merrte, sepse nuk ishte gjëja e tij, por kishte premtuar të heshtë e iu desh të rrinte ashtu, i mbërthyer në heshtjen e kryqit...

Hyri, pastaj, një djalosh, që ra me devocion të thellë në gjunjë tek këmbët e kryqit  e i lypi ndihmë e mbrojtje, sepse pas pak do të vihej për udhë nëpër det. E ndërsa ai vijonte lutjen, në kishë hyri pasaniku, i shoqëruar nga xhandarët duke bërtitur e duke kërkuar qesen me para, që sigurisht i kishte rënë aty. E në Kishë ishte vetëm djaloshi. Natyrisht, xhandarët e kapën, i vunë prangat e deshën të niseshin me gjithë të drejt e në burg. Kur puna arriti në këtë pikë, Serafini nuk mundi ta mbante më gojën mbyllur e bërtiti sa i hante zëri: “Është i pafajshëm!”.

Merreni me mend! I Kryqëzuari që fliste, e shpëtoi djaloshin nga burgu, sepse falë këtij zëri, i bënë më hollë hetimet, e lanë të lirë djaloshin, që hipi në anije e u nis në punë të vet, e arrestuan varfanjakun, që kishte marrë paratë e qesja  iu nkthye të zotit.

Në mbrëmje Krishti u kthye me fytyrë të ngrysur dhe e qortoi ashpër Serafinin: “Shumë keq” - i tha. - “Si, edhe po më qorton, o Zot?”. “Të pata thënë të heshtësh, e ti ç’bëre?”. “Po unë e vura në vend drejtësinë, o Zot!” – i gjegji i habitur murgu, që ishte kryqëzuar në vend të Jezusit.

Atëhere Zoti ia kthei: “Jo, Serafin, bëre një gabim të madh. Detyra jote ishte të heshtje. Madje ma premtove këtë. Ndërsa, duke folur, ti e rrënove krejt punën time. Ai pasaniku, me paratë që i ranë, donte të merrej me punë të mbrapshta, e isha unë që e bëra t’i humbasë; i varfëri kishte nevojë, prandaj desha t’i gjente; djaloshi tani është duke u mbytur në det, e më kishte kërkuar ndihmë; po ta kishin mbyllur në burg të paktën për një ditë, do ta kishte humbur anijen e tani nuk do të ishte në fund të  detit. E rrënove gjithçka Serafin, prandaj kot kërkon të zësh në vendin tim! Edhe pse murg - e unë e di se jeton një jetë të thellë shpirtërore - Provania ime i drejton punët mrekullisht më mirë se ju, njerëzit, edhe kur juve ju duket se shkojnë së prapthi!








All the contents on this site are copyrighted ©.