2017-03-01 00:30:00

Imzot Gjergj Frendo: mesazhi i Kishës: “Kthehuni”, “Pendohuni”, “Pajtohuni”.


Imzot Gjergj Frendo-s në homelinë e Meshës së Mërkurës së Përhime - në fillimin e Krezhmëve 2017, kremtuar në Katedralen e Shën Palit në Tiranë: fton të reflektojmë mbi domethënien e hirit në liturgji, pra Bibël, në jetën shoqërore e kujton se mesazhi i Kishës për këtë ditë, madje për gjithë këtë periudhë të Kreshmëve, mund të përmblidhet në tri fjalë: “Kthehuni”, “Pendohuni”, “Pajtohuni”.

 E MËRKURA E PERHIME (2017):  ja homelia e Imzot Gjergj Frendo-s        

Sot jemi të ftuar të reflektojmë mbi domethënien e hirit. Çfarë domethënie ka sot përdorimi i hirit që pas pak do të vendoset mbi krye? Në shtëpi hiri është diçka e shëmtuar, është diçka e pistë. Amvisat e hedhin në plehra. Ato pastrojnë taketuken që mbushet me hirin e cigareve. Asnjëri nuk mendon ta përdorë hirin për ta vendosur mbi krye, përveç neve të krishterëve, në ditën e sotme.

Por për ne besimtarë, sot hiri ka një domethënie shumë të veçantë. Së pari na kujton ato fjalë që kaherë përdoreshin në këtë ditë në atë moment kur meshtari vendoste hirin mbi krye: “Kujtohu, o njeri, se pluhur ke qenë e pluhur do të bëhesh”. Por edhe para ardhjes së Krishtit, tek hebrenjtë, në Besëlidhjen e Vjetër, në atë ditë që quhej “Jom Kippurim” – që kremtohej çdo vit si ditë pendese – përdorej hiri dhe vendosej mbi kokë. Kështu ky gjest është bërë, edhe tek ne të krishterë, shenjë pendese.

Megjithatë ju ftoj të reflektoni ende mbi domethënie tjetër të hirit. Hiri sot na kujton hirin e Hiroshimës, atë ditë të tmerrshme kur mbi atë qytet u hodh bomba e parë bërthamore që ka transformuar atë qytet në një ferr. Hiri sot na kujton hirin e asaj tragjedie çnerëzore dhe të çmendur e njohur me emrin “holokaust”, kur në Auschëitz janë djegur trupat e milionave hebrenjve nga Nazistët. Hiri sot na kujton pjesat e copëtuara të fetusave të abortuar dhe të bërë shkrumb e hi. Dhe hiri sot na kujton hirin e atyre të krishterëve të djegur gjallë nga Isis. Domethënë hiri sot na kujton mëkatin e njeriut kundër njeriut.

Atëherë i drejtohemi Hyjit me fjalët e Joelit, që sot kemi dëgjuar në Leximin e Parë: “Fale, o Zot, popullin tënd, mos lejo të turpërohet prona jote e të sundojnë mbi të paganët! Përse të thuhet ndër paganë: ‘Ku është tash Hyji i tyre?’” Por le t’i dëgjojmë gjithashtu fjalët e bukura të Shën Palit, nga Leximi i Dytë: “Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin. ... Ai thotë: ‘Në kohë të volitshme të vështrova, në ditë të shpëtimit të ndihmova.’ Ja, pra, tani koha e volitshme; ja, pra, dita e shpëtimit!” A keni kuptuar atë fjalë: “Tani”?

Po, tani, sot, jemi të thirrur të pastohemi me Hyjin. Shën Pali sapo kishtë thënë: “Ai që bashkohet me Krishtin bëhet një krijesë e re”. Sot Zoti të kujton se ke mundësi të bëhesh një krijesë e re, ti që ke mëkatnuar kundër Zotit dhe kundër njerëzve – sepse çdo mëkat kundër njeriut është në fakt një mëkat kundër Zotit. Dhe kemi dëgjuar edhe fjalët e Jezusit, i cili, në Ungjill, në ka kujtuar veprat kryesore që shprehin pendesën tonë për mëkatet tona: lëmoshë, lutje dhe agjërim.

Prandaj mesazhi i Kishës për këtë ditë, madje për gjithë këtë periudhë të Kreshmëve, mund të përmblidhet në tri fjalë: “Kthehuni”, “Pendohuni”, “Pajtohuni”.

Kthehuni! Profeti Joel dhe Shën Pali theksojnë nevojën që të kthehemi tek Zoti. Për shkak të mëkatit të njeriut të parë, mëkati mbretëronte për shumë e shumë kohë. Por në saje të mundimeve dhe vdekjes së Krishtit, mëkati u shkatërrua përgjithmonë. Edhe pse njeriu vazhdon të mëkatojë – ne vazhdojmë të mëkatojmë – megjithatë fjala e fundit e Zotit për ne mbetet ajo: “Të janë falur mëkatet”, nëse, të penduar, kthehemi tek Ai. Ja pse koha e Kreshmëve është koha e shpalljes së lajmit të mirë të Jezu Krishtit. Vërtetë, kemi filluar këtë kohë me një ditë agjërimi, ne meshtarët jemi veshur me veshjen ngjyrën vjollcë, që është ngjyra simbolike e pendeses. Megjithatë sakrificat tona gjatë kësaj periudhe të kreshmëve i përgjajnë vuajtjes së nënës duke lindur një fëmijë. Është vuajtje, por e pranuar me kurajë dhe me gëzim, sepse është prelud për mrekullinë e një lindjeje të re. Vuajtja jonë dukë agjëruar ose duke bërë ndonjë sakrificë tjetër ose edhe duke futur dorën në xhep për të nxjerrë pak lekë për një person të varfër, është, në fakt, prelud për një lindje të re: është lindja e njeriut të ri, sepse, në fjalët e Shën Palit thuhet: “Ai që bashkohet me Krishtin bëhet një krijesë e re”. Kur, më 16 prill, do të kremtojmë me gëzim të madh, ngjalljen e Jezu Krishtit nga vdekja, atëherë do t’i tregojmë botës se nuk ishte kot të agjëronim dhe të bënim sakrifica të tjera. Do t’i themi: “Jam rilindur! Jam krijesë e re!”

Pendohuni! E Jezusi na kujton veprat që shprehin pendesën tonë. Në Ungjill kemi dëgjuar fjalët e Jezusit, i cili ka përmendur lutjen, agjërimin, dhe lëmoshën (apo veprat e bamirësisë). T’i japim Zotit pak më shumë kohë për të biseduar me të. Ndoshta ti kalon shumë orë përditë para televizorit ose me internetin ose me facebook. Një gjysmë ore më pak me këto mjete, që të kalosh një gjysmë ore duke lexuar, për shembull, Ungjillin e Gjonit (që unë çdo vit u rakomandoj besimtarëve veçanërisht gjatë kohës së kreshmëve), ose duke lexuar jetën e ndonjë shenjti. Le të heqim dorë nga ndonjë ushqim që na pelqen shumë, jo me qellim për ta pasur një pamje elegante, por për të t’u bashkuar me Krishtin i cili në shkretetirë ka agjëruar për dyzet ditë – ungjilli që do ta dëgjojmë të dielën. Le të tregohemi më bujarë ndaj personave më në nevojë. Në fytyrën e të varfërve le të shohim fytyrën e Krishtit të varfër, e le t’i duam me dashurinë e Krishtit.

Pajtohuni! Kjo është një fjalë që duhet ta dëgjojmë me shumë vemendje në vendin tonë. Nuk është politika, por është besimi ynë që na tregon rrugën për pajtim. Politika mund të ndryshojë strukturat, por nuk mund t’i ndryshojë zemrat. Edhe pse të gjithë politikanët kanë një mision fisnik: të angazhohen për të mirën e përbashkët, të mirën e popullit. Por nganjëherë my mision keqpërdoret në mënyrë që ambicia dhe lakmia marrin përparësi mbi interesin për të mirën e përbashkët. Nuk duam një politikë që shkakton ndarje dhe urrejtje. Nuk duam të dëgjojmë fjalë që mund ta nxisë popullin për dhunë, vandalizëm, përçarje. Përkundrazi, lë të dëgjojmë më shumë fjalën e Krishtit: “Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit”. I nxisim politikanët, veçanërisht tani që po afrohet dita e caktuar për zgjedhjet politike, mos të përdorin fjalime që hapin rrugë për trazira të reja në vendin tonë.

Të dashur vëllezër dhe motra, secili prej nesh ka një përgjegjësi për të ruajtur mirëqenien dhe paqen në shoqëri. Jemi një popull, kemi një vend, kemi detyrë të angazhohemi për një shoqëri më të drejtë, më paqësore. Të gjithë mburremi me bashkëatdhetarë si Gjergj Kastrioti dhe Shën Nënë Tereza. Dhe gjatë këtyre kreshmëve të lutemi që Zoti të na hapë rrugën për një Shqipëri më të denjë për shqiptarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.