2017-03-01 17:25:00

Papa, të Mërkurën e Përhime: Kreshmët janë kohë për t’i thënë jo asfiksisë së Shpirtit


Sot pasdite, e Mërkura e Përhime, ditë e fillimit të Kreshmëve, u kremtua bashkësia e lutjes, në formën e “Stacioneve” romake, kryesuar nga Papa  Françesku. Në orën 16.30, në Kishën e Shën Anselmit, në Aventin, ne Rome, u mbajt një çast lutjeje, pasuar nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës. Në procesion morën pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjër benediktinë të Shën Anselmit, etër domenikanë të Shën Sabinës dhe disa besimtarë. Në përfundim të procesionit, në Bazilikën e Shën Sabinës, Papa Françesku kryesoi kremtimin e Eukaristisë, me ritin e bekimit të hirit dhe të përhimjes.

Gjatë homelisë së Meshës së fillimit të kohës liturgjike të Krezhmëve, të Mërkurën e Përhime në Avventino, në Romë, Papa mes tjerash tha:” Zoti na shpëton nga asfiksia, që e shuan fenë tonë shkaktuar nga egoizmi ynë, nga ambiciet meskine, nga indiferenca e heshtur; asfiksi që e ngushton horizontin dhe i ndal rrahjet e zemrës”. Pra, pas shpalljes së Ungjillit Shenjt, Papa Françesku mbajti homelinë, përshkuar tej e mbanë nga ftesa, që sot jehon në të gjitha Kishat e botës: “Kthehuni nga unë me gjithë zemër, kthehuni kah Zoti!”. (Gl 2,12,13). Është britma me të cilën Joeli i drejtohet popullit, në emër të Zotit, pa përjashtuar askënd, që të gjithë të vihen për udhë e ta adhurojnë Zotin, sepse Ai është i mëshirshëm  e plot me dashuri.  Edhe ne duam t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje - kujtoi Papa - në këtë ditë, me të cilën nis Koha e pendesës. Duam të kthehemi tek zemra e mëshirshme e Zotit. Pastaj Françesku u ndal tek shpjegimi i fjalës Kreshmë.

Ç’janë Kreshmët?

“Kreshmët janë udhë, që çon në fitoren e mëshirës mbi gjthçka kërkon të na shtypë ose të na shndërrojë në qenie, që nuk kanë të bëjnë me dinjitetin e bijve të Zotit. Është udhë, që çon nga skllavëria, në liri! Nga vuajtja, në gëzim. Nga vdekja, në jetë”.

Ç’kuptim ka përhimja?

Më pas Papa shpjegoi edhe kuptimin e gjestit krejtësisht të posaçëm, që është në qendër të kësaj dite: përhimjes: “Gjesti i përhimjes, me të cilin nisëm udhën, na kujton zanafillën tonë: u gatuam nga toka, u bëmë prej pluhuri. Po, por pluhur në duart plot me dashuri të Zotit, që fryu Shpirtin e Tij të jetës mbi secilin prej nesh e dëshiron të vijojë ta bëjë. Dëshiron të vijojë të na japë frymën e jetës,  e cila të shpëton nga frymë të tjera: nga asfiksia, që na e merr frymën, shkaktuar nga egoizmi ynë, nga ambicjet meskine, nga indiferenca e heshtur; asfiksi që ia merr frymën shpirtit, e ngushton horizontin dhe i ndal rrahjet e zemrës!

Fryma e jetës së Zotit  na shpëton

Po fryma e jetës së Zotit na shpëton nga kjo asfiksi, që e shuan fenë tonë,  e akullon dashurinë tonë të krishterë, e zhduk shpresën tonë. T’i jetosh Kreshmët, do të thotë ta dëshirosh këtë frymë jete, që Ati nuk pushon s’ia  ofruari baltës së historisë sonë. Kreshmët janë kohë për të thënë ‘jo’! Jo, ndotjes, shkaktuar nga indiferenca; jo, mendimit se jeta e tjetrit nuk më intereson; jo, çdo përpjekjeje që e banalizon jetën. “Jo” fjalëve boshe, pa pikë kuptimi; “jo” kritikës së nxituar e të padrejtë; “jo” analizave të thjeshtëzuara, që nuk arrijnë ta pushtojnë kompleksitetin e problemeve njerëzore, posaçërisht problemeve të atyre, që vuajnë më shumë. Kreshmët janë kohë për t’i thënë ‘jo’ asfiksisë, lindur nga ata, të cilët duan të arrijnë tek Zoti, duke u larguar nga plagët e Krishtit, të pranishme në plagët e vëllezërve të Tij. “Jo” përshpirtërive, që e rëgjojnë fenë në kulturë getoje e përjashtimi.

Kreshmët janë koha e kujtesës

Kreshmët janë koha e kujtesës: kohë për të menduar e për të pyetur: ç’do të ndodhte me ne, nëse Zoti do të na i kishte mbyllur portat? Kreshmët janë kohë për të marrë përsëri frymë lirisht: kohë për t’ia hapur zemrën frymës së të Vetmit, që është i aftë ta shndërrojë pluhurin, në njeri! Është kohë mëshire, për të kënduar, së bashku me Psalmistin: “Na e kthe gëzimin e shpëtimit tënd, dhe na forco me shpirtin fisnik, që me jetën tonë të shpallim lavdinë tënde (krh Ps 51-14) e pluhuri ynë - përmes frymës sate të jetës - të shndërrohet në ‘pluhur të dashuruar’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.