2017-02-25 17:55:00

Françesku: të ndërtohen ura, atje ku ngrihen mure nga frika e të tjerëve


Kemi nevojë për vëllazërim, për të ndërtuar ura, në një botë ku ngrihen mure nga frika prej të tjerëve. Është thirrja lartuar nga Papa Françesku në audiencën me Delegacionin Katolik për Bashkëpunim, organizëm i lindur në Francë 50 vjet më parë, në gjurmët e Populorum Progressio të të Lumit Pali VI. Papa ripohoi nevojën e kthesës ekologjike, në shërbim të së mirës së përbashkët.

Duke pritur, në Vatikan, anëtarët e Delegacionit Katolik për Bashkëpunim, Françesku vuri theksin mbi urgjencën e nxitjes së një kulture, në të cilën askush nuk e shikon tjetrin me indiferencë:

“Mos kini frikë të përshkoni udhët e vëllazërimit e të ndërtoni ura ndërmjet njerëzve e popujve, në një botë ku ngrihen ende mure nga frika e të tjerëve. Përmes nismave, projekteve dhe veprimtarive tuaja, ju e bëni të dukshme Kishën e varfër e për të varfërit, Kishën në dalje, që bëhet e afërt me njerëzit, të cilët kalojnë situata vuajtjeje, skami, mënjanimi, përjashtimi”.

Zhvillimi të jetë i gjithanshëm, për çdo njeri e për njeriun në tërësi

Në Fjalimin e tij, Papa u ndalua tek aktualiteti i Enciklikës së Palit VI, Populorum Progressio, në 50-vjetorin e botimit:

“Siç shkroi i Lumi Pali VI në Enciklikën ‘Populorum Progressio’, zhvillimi nuk kufizohet vetëm në rritjen ekonomike. Për të qenë zhvillim i vërtetë, duhet të jetë i gjithanshëm, në shërbim të çdo njeriu e të njeriut në tërësi. Solidariteti botëror, gjithnjë më i frytshëm, duhet t’u krijojë të gjithë popujve kushtet të bëhen zotër të fateve të veta”.

Kthesë ekologjike, për të promovuar të mirën e përbashkët

Fjala “solidaritet” - vijoi Papa - është përdorur pak si tepër shpesh, edhe intepretuar keq, por duhet pasur mirë parasysh se është diçka më shumë se ndonjë vepër e rrallë bujarie. Papa theksoi, kështu, domosdoshmërinë e krijimit të mendësisë së re, "që nuk mendon vetëm për vete, por edhe, e kryesisht, për bashkësinë, për jetën e të gjithëve e jo për përvetësimin e pasurive vetëm nga një grusht njerëzish”.

E pikërisht për këtë punon Délégation Catholique pour la Coopération, duke realizuar një partneritet të vërtetë me Kishat e me aktorët lokalë në vendet ku dërgohen vullnetarët, që punojnë në mirëkuptim me autoritetet civile dhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë.

Papa, në përfundim, e inkurajoi Delegacionin Katolik për Bashkëpunim të jetë në shërbim të një Kishe, që i krijon secilit mundësinë ta njohë afërsinë mahnitëse të Zotit, duke u përpjekur për të mirën e të gjithëve dhe për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.