2017-02-24 18:51:00

Vatikani e Al-Azhari: t’i ruajmë të rinjtë nga ideologjitë terroriste


Të hedhim poshtë çdo formë fanatizmi, ekstremizmi dhe dhune, në emër të fesë; të promovojmë njohjen e ndërsjelltë, vlerat e përbashkëta dhe tolerancën. Këto janë urimet e detyrat që i vunë vetes Qendra për dialogun e Universitetit Al-Azhar të Kajros (autoriteti më i lartë teologjik i myslimanëve sunitë) dhe Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar, në përfundim të simpoziumit, që u mbajt në kryeqytetin egjiptian, më 22 e 23 shkurt. Në komunikatën e përbashkët, nxiten qeveritë, organizatat dhe autoritetet ndërkombëtare të bashkëpunojnë për t’u vënë fre grupeve ekstremiste e të dhunshme. Sugjerohet gjithashtu, të luftohen organizatat terroriste, për shembull, duke mos u lënë fonde e mjete të tjera në dispozicion e duke ndalur të gjithë ata, që i furnizojnë me armë e para. Vetëm kështu, thonë katolikët dhe myslimanët, mund të mbrohen të rinjtë nga ideologjitë e tyre shkatërrimtare.

         Takimi “shkoi shumë mirë”, nënvizon kreu i delegacionit katolik, kardinali Jean-Louis Tauran, president i dikasterit për dialogun ndërfetar, në gazetën “L’Osservatore Romano”. Deklarata e përbashkët përmban 12 rekomandime. Së pari, nënvizohet rëndësia e dialogut katoliko-mysliman dhe e atij ndërmjet dy institucioneve; së dyti, theksohet nevoja e respektimit të ndryshimeve fetare. Ndër shkaqet e ekstremizmit, vihen në dukje edhe varfëria, injoranca, shpërdorimi i fesë nga politika dhe interpretimi i gabuar i teksteve të shenjta. Sugjerohet t’u kushtohet vëmendje e veçantë të rinjve, duke hapur kanale dialogu, duke i formuar dhe edukuar me vlera të përbashkëta, si mëshira, dashuria dhe respekti.

         Blloku i dytë i rekomandimeve ka të bëjë me punën e ardhshme të dy institucioneve për promovimin e marrëdhënieve ndërmjet popujve, individëve, qytetërimeve dhe feve, me qëllim që të garantohet paqja, siguria dhe qëndrueshmëria.








All the contents on this site are copyrighted ©.