2017-02-24 12:34:00

Papa: në Zotin është drejtësia e mëshira, jo logjika e kazistikës


Në udhën e të krishterit e vërteta nuk shitet, as blihet. I krishteri duhet të jetë i drejtë në mëshirë, siç na mëson Jezusi. Këtë pohoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë i porositi besimtarët të ruhen nga hipokrizia e nga mashtrimi i një feje, që katandiset në logjikë kazistike.

“A është e ligjshme që burri ta ndajë gruan e vet?”. Kjo, pyetja të cilën, në Ungjillin e sotëm sipas Markut, ia bëjnë doktorët e Ligjit Jezusit gjatë predikimit në Jude.  

Jezusi nuk i nënshtrohet logjikës së kazistikës, por shpjegon gjithnjë të vërtetën

Doktorët e Ligjit, që e ndjekin pas Jezusin kudo shkel, ia bëjnë këtë pyetje  për ta vënë në provë -  vërejti Françesku - që, nga përgjigjja e Jezusit, mori shtytjen për të shpjeguar cila është gjëja, që vlen më shumë në fe:

“Jezusi nuk përgjigjet nëse është apo nuk është e drejtë: nuk hyn në logjikën e tyre kazistike. E di se ata mendonin për fenë vetëm me termat ‘mundet’ ose ‘nuk mundet’, ‘deri ku mundet’ e ‘deri ku jo’. Kjo është logjika e kazistikës; Jezusi nuk hyn në të. E u drejton atyre, nga ana e Tij, pyetjen: ‘E po, ç’urdhër ju dha Moisiu? Ç’shkruhet në ligjin tuaj?’”.

E ata i shpjegojnë se Moisiu jep leje për ta lënë gruan, e atëherë ata vetë bien në kurthin, që ia patën kurdisur Jezusit. E Jezusi i quan “njerëz me zemër guri”: “Ai e shkroi kështu ligjin për ju, që i keni zemrat të gurosura”.  E tha të vërtetën. Pa kazistikë. Pa lëshime. Tha të vërtetën:

“Jezusi thotë gjithnjë të vërtetën. I shpjegon gjërat ashtu si u krijuan - nënvizoi akoma Papa -  shpjegon të vërtetën e Shkrimeve Shenjte, të Ligjit të Moisiut. E këtë e bën kur për thyerjen e kurorës e pyesin dishepujt e Tij, të cilëve u përsërit: ‘Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, thyen kurorën kundër së parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, thyen kurorën’”.

Logjika e kazistikës është hipokrite, mashtron

Por nëse e vërteta është kjo e thyerja e kurorës është e rëndë, si ta shpjegojmë atëhere - pyeti Papa - që Jezusi foli shumë herë me një grua  të lëshuar, “pagane”? Piu nga gota e saj, që nuk ishte e pastruar. E në fund i tha edhe: “Unë nuk po të dënoj. Mos mëkato më!” Si është e mundur?!

Kjo është udha e Jezusit - shihet qartë - udha nga kazistika, tek e vërteta  e  mëshira. Jezusi e lë pas shpine kazistikën. Ata, që deshën ta vinin në provë, që mendonin me logjikën e ‘mund të’– jo këtu, por në një fragment tjetër të Ungjillit -  Jezusi i cilëson hipokritë. Edhe me Urdhërimin  e katërt, ata ua mohonin ndihmën prindërve, duke u shfajsuar se kishin dhënë një ofertë të mirë në Kishë. Hipokritët! Kazistika është hipokrite! Është mendim hipokrit. ‘Mundet’, ‘nuk mundet’…logjikë, që më pas bëhet edhe më e stërholluar, më djallëzore: ‘Po, deri ku mundem?’.  ‘Prej këtu – deri këtu, nuk mundem!’. Ky është mashtrimi i kazistikës.

Nga kazistika, tek e vërteta e mëshirës: kjo, udha e të krishterit  

Udha e të krishterit nuk hyn në logjikën e kazistikës, logjikë hipokrite, por në atë të së vërtetës, që sipas shembullit të Jezusit, shoqërohet me mëshirën, sepse Ai është mishërimi i Mëshirës së Atit e nuk mund ta mohojë vetveten. Nuk mund ta mohojë vetveten, sepse është e Vërteta e Atit; e nuk mund ta mohojë vetveten, sepse është Mëshira e Atit. E kjo është edhe udha që na mëson Jezusi, e vështirë për t’u zbatuar përballë tundimeve të jetës - vërejti Papa.

Drejtësia e mëshira, udhë jo e lehtë, por që të bën të lum

Kur tundimi prek zemrën, udha për të dalë nga kazistika drejt së vërtetës e mëshirës, nuk është e lehtë: duhet hiri i Zotit, që të mund të ecim përpara në këtë udhë. E duhet t’ia kërkojmë gjithnjë:

“Ndihmomë, o Zot, të jem i drejtë, por i drejtë në mëshirë. Jo i drejtë i maskuar pas kazistikës. I drejtë në mëshirë. Si je Ti, o Zot!”.

 Pastaj ndonjë që ka mendësi kazistike, mund të pyesë: “Por ç’gjë është më e rëndësishme, në Zotin? Drejtësia apo mëshira?” Edhe ky, mendim i sëmurë, që kërkon të dalë… Ç’gjë ka më shumë rëndësi? Nuk janë dy. Janë një gjë e vetme! “Në Zotin drejtësia është mëshirë e mëshira, drejtësi”.

Zoti na ndihmoftë ta kuptojmë këtë udhë, që nuk është e lehtë, por që na bën të lum ne, e i bën të lum të gjithë ata, që ecin në të.








All the contents on this site are copyrighted ©.