2017-02-24 11:33:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 8-të gjatë vitit ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, të dielës së 8-të gjatë vitit liturgjik, sipas kalendarit kishtar, ciklit të parë. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të reflektojmë mbi disa tema themelore të jetës e të fesë. Fjala e Zotit na thotë se nuk mund t’i shërbejmë edhe Zotit e edhe pasurisë. Hyji, e di se për çfarë kemi nevojë dhe plotë dashuri, kujdeset që të mos na mungojë asgjë. Gjithsesi, ndërhyrja e vazhdueshme e Provanisë Hyjnore për çdo krijesë të Zotit vërtet, zhduk shqetësimin për të ardhmen, por nuk na përjashton nga impenjimi për jetën.

Edhe në Leximin II të liturgjisë së sotme, shën Pali apostull na kujton se Krishti i njeh dëshirat më të thella të zemrës së njeriut e vetëm dashuria e tij e ëmbël dhe e butë mund të banojë në intimitetin e shpirtit të secilit prej nesh. Prandaj, nuk duhet të kemi frikë se Hyji na braktis.

Sigurisht, të gjithë njerëzit shpresojnë ta kenë jetën e siguruar. Megjithatë, besimtarët provojnë nganjëherë pasigurinë, ose dyshimin nëse Zoti vepron me të vërtetë në jetën e tyre. U duket sikur Hyji i harron. Në këto çaste, jemi të thirrur të kemi besim në Fjalët, që Shpirti Shenjt na thotë përmes profetit Isaia, në Leximin I: “Nuk do të të harroj kurrë”. Edhe psalmisti dëshmon besnikërinë e Zotit për popullin e vet, prandaj i fton njerëzit e të gjitha kohërave ta hapin zemrën para Atit Qiellor e të kërkojnë strehë e ngushëllim tek Krishti, shkëmbi i shpëtimit tonë.

Shpesh herë kemi frikë nga e ardhmja. Si do të jetë dita e nesërme? Do të jem mirë me shëndet apo i sëmurë? Çfarë do të më ndodhë në të ardhmen? Si i krishterë më pas mendoj në ç’raport jam me Hyjin: kam marrëdhënie miqësore apo jam larg tij? Në këto rrethana duhet të kemi besim të plotë në Hyjin. Ose mund të gjesh disa që duke gabuar thonë: “Hyji më ka harruar”. Kjo është herezi”

Në Leximin I nga Izaia profet (Is 49,14-15), Hyji nëpërmjet profetit Isaia qorton popullin që thoshte “Zoti më la, më harroi Zoti!”. E më pas thotë, në një gjuhë figurative: “E harrin – thua gruaja foshnjën e vet...? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk do të të harroj!”. Jo, Hyji nuk na harron kurrë, kurrë nuk do të na lërë. Në provaninë e tij të pafund gjithmonë mendon për ne, për nevojat tona të përditshme.

Në Ungjillin e kësaj së diele të Mateut, marrë nga biseda e Jezusit mbi mal (Mt 6,24-34), vetë Jezusi u mëson apostujve mënyrën se si të luten. U ka mësuar lutjen “Ati ynë” në të cilën e quajnë Hyjin “Ati ynë” dhe kërkojnë bukën e përditshme. Këtu njeriu i lutet Hyjit që në provaninë e tij mendon për të gjitha krijesat e botës të krijuar nga ia.

Më pas, në fragmentin ungjillor të kësaj së diele, Jezusi qorton ata që mendojnë se kanë humbur çdo shpresë në provaninë e Hyjit e që përhumben në punët e botës materiale. Jezusi na thotë: “Mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni”. Këtu Jezusi nuk dënon paranë apo punën; as edhe lëvdon mjerimin e mungesën e parashikimit e programimit për të ardhmen. Të gjithë jemi të detyruar të mendojmë për të ardhmen tonë e për ata që varen nga ne. Atëherë çfarë dënon Jezusi? Dy gjëra: që dikush të jetë “skllav i parasë”, që humbet për të fituar me çdo kusht; që dikush kërkon të fitojë të mirat tokësore e kohore edhe me mjete të pandershme e të padrejta. Kjo nuk do t’i shërbejë Hyjit por djallit.

Pastaj, Jezusi dënon ata që mendojnë vetëm për jetën trupore: çfarë të hanë, të pijnë, të veshin, pa menduar për jetën shpirtërore. Prandaj, Jezusi në Ungjill thotë: “Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë!”. Është e vërtetë që duhet të mendojmë për jetën në këtë botë: kjo jetë na është dhuruar prej Zotit; por nuk duhet të harrojmë thirrjen tonë për jetën e përjetshme. Madje duhet të preferojmë jetën e përjetshme me Zotin ndaj jetës materiale të përkohshme.

Në leximin I kemi premtimet e Hyjit, që thotë: “Unë ty kurrë nuk do të të harroj!”. Në fragmentin e Ungjillit, Jezusi u bën jehonë këtyre fjalëve duke thënë: “Nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës...a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o besim pakët?”. E le të mbajmë mirë mend se provania e Hyjit nuk kufizohet me të mirën e tanishme, por na siguron më shumë të mirën e pafundme në Mbretërinë e Qiellit në Amshim. Ky është ngushëllimi ynë i madh: Hyji na ka përgatitur një thesar që nuk mbaron kurrë, që është Ai Vetë.

Nga Ungjilli i Mateut 6,24-34

Hyji dhe mamona (Lk 16, 13)

Në atë kohë Jezusi u tha dishepujve të vet: 24 “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

Kujdesi i tepruar ndaj pasurisë dhe brengosja (Lk 12, 22‑34)

25 “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 27E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!” Fjala e Zotit!.








All the contents on this site are copyrighted ©.