2017-02-23 12:40:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: anglikanizmi


Të dielën, më 26 shkurt, Papa Françesku shkon për vizitë, për herë të parë në histori, në Kishën anglikane të të Gjithë Shenjtorëve në Romë. Por ç’është anglikanizmi? Këtë do të shpjegojmë në emisionin e sotëm.

Quhet edhe Rruga e Mesme, sepse anglikanizmi, për nga teoria e praktika, vendoset në mes, ndërmjet protestantizmit të Luterit dhe katolicizmit. E ka zanafillën në shekullin XVI, me ndarjen e Kishës së Anglisë nga Kisha Katolike, gjatë mbretërisë së Henrikut VIII. Përfshin Kisha, që historikisht lidhen me të për nga besimi, praktika e kultit e ngjashmëri të tjera, pavarësisht se nuk janë identike. Fjala “anglikan” e ka zanafillën nga “ecclesia anglicana”, frazë latine e vitit 1246, që do të thotë “kisha angleze”. Shumica e anglikanëve bëjnë pjesë në Bashkimin Anglikan Ndërkombëtar. Por ka edhe Kisha jashtë tij, të lidhura me atë që quhet “anglikanizëm i vazhdimësisë”, i cili mban qëndrime më konservatore.

Në thelb, protestantizmi anglikan është ndërthurje e elementeve luterane dhe kalviniste, pjesërisht edhe katolike, bazuar në Ungjillin e Jezu Krishtit, në traditën e Kishës apostolike, në trashëgiminë apostolike (episkopati historik) e në mësimet e Etërve të Kishës.

Pak histori

Anglikanizmi fillon historikisht me kërkesën e mbretit Henriku VIII Tudor për të anuluar martesën me Katerinën e Aragonës dhe për t’u martuar me Ana Bolenën. Kërkesë, e mohuar nga Papa i Romës, që e çoi Henrikun VIII të vetëshpallej Kryetar Suprem i Kishës Anglikane. Gjithsesi, mbreti shfrytëzoi bindjen e përhapur ndër ipeshkvijtë anglezë, por edhe ndërmjet teologëve dhe besimtarëve, se ishte e nevojshme një pavarësi më e madhe nga Kisha Katolike Romake.

Më vonë, mbretëresha Elizabeta I e shndërroi titullin në Guvernatore Supreme e Kishës Anglikane, që mbahet edhe sot nga sovranja e Anglisë. Primati i Kishës Anglikane është kryeipeshkvi i Kanterbërit. Ndërsa Kishat e tjera Anglikane, si për shembull, ajo e Uellsit dhe Kisha Episkopale e SHBA-ve janë të pavarura.

Henriku VIII u çkishërua dy herë, së pari nga Papa Klementi VII në korrik 1533 e për herë të dytë, nga Papa Pali III, më 17 dhjetor 1538, dënim, që iu dha edhe Elizabetës I. Që nga ajo kohë s’pati më kthim mbrapa nga skizma.

Në gjysmën e parë të shekullit XVII, Kisha Anglikane, së bashku me atë Irlandeze dhe atë të kolonive në Amerikë morën formën që u jep karakterin “katolik e të reformuar”, pra “katolik, por jo romak, të reformuar, por jo protestant”. Me përhapjen e ndikimit britanik në botë, anglikanizmi u eksportua edhe në Amerikë, në Afrikë, në Australi e në zona e të Azisë e të Paqësorit.

Struktura e doktrina

Anglikanët, njësoj si katolikët, kanë ipeshkvij, meshtarë dhe diakonë, por celibati nuk është i detyruar, prandaj anëtarët e klerit mund të martohen. Gratë mund të shugurohen diakonesha gati në të gjitha provincat kishtare e në shumë prej tyre edhe meshtare dhe ipeshkvij. Urdhërat rregulltare u ndalën me ligj nga Henriku VIII, por u rivendosën në shekullin XIX. Kryeipeshkvi i Kanterbërit zotëron një lloj primati nderi brenda Bashkimit Anglikan, por çdo Kishë është e pavarur. Kulti anglikan i detyrohet shumë pikërisht kryeipeshkvit të parë të Kanterbërit pas skizmës, Thomas Cranmer, i cili shkroi dhe botoi tekste anglikane të rëndësishme si “Libri i Lutjeve të Përbashkëta” (Book of Common Prayer) dhe “39 nene të fesë”. Bashkimi Anglikan është bashkësia e tretë e krishterë më e përhapur në botë, pas Kishës Katolike e Kishave Ortodokse lindore. Doktrina anglikane bazohet në të ashtuquajturin “Katërkëndësh të Çikago-Lambetit”, ku përshkruhen katër shtyllat e anglikanizmit:

Shkrimi Shenjt, baza e fesë së krishterë, ku përmbahet gjithçka është e nevojshme për shëlbim.
Besojmat e fesë (Simboli i apostujve dhe Simboli nikeno-kostandinopojan), statutet e nevojshme e të mjaftueshme për paraqitjen e doktrinës së krishterë;
Sakramentet (Pagëzimi dhe Eukaristia), mjetet e jashtme, të dukshme e të vërteta të Hirit të Tënzot (themeluar nga Krishti)
Trashëgimia apostolike, e pandërprerë dhe e njohur si e vlefshme edhe nga Kishat ortodokse dhe vetero-katolike.

Me katolikët ekziston prej kohësh një dialog i frytshëm ekumenik. Në vitin 2004 u botua një “Deklaratë e përbashkët” e Komisionit Ndërkombëtar Anglikano-Katolik mbi figurën e Marisë, Nënës së Krishtit, pavarësisht se ajo nuk njihet si deklaratë me autoritet, por jepet për studim nga të dyja Kishat. Gjithsesi, anglikanizmi nuk pranon dogmën e Zojës së Papërlyer, shpallur në vitin 1854, dhe atë të Ngjitjes në Qiell të Shën Marisë me shpirt e me korp, shpallur në vitin 1950. Gjithashtu, nuk pranon dogmën e pagabueshmërisë së Papës, shpallur në vitin 1870.








All the contents on this site are copyrighted ©.