Më 22 shkurt, Kisha katolike kremton festën e Katedrës së Shën Pjetrit. Kjo festë
tërheq vëmendjen e mbarë botës katolike mbi figurën e Shën Pjetrit dhe misionin e
tij të veçantë që i besoi Krishti. Në të vërtetë historia na flet për dy katedra të
Shën Pjetrit: para udhëtimit dhe martirizimit të tij në Romë, selia e magjisterit
të Shën Pjetrit ishte në Antioki. E liturgjia i kremtonte këto dy seli të ndryshme
në dy data të ndryshme: më 18 janar (në Romë) e më 22 shkurt (në Antioki). Pas rishikimit
të Kalendarit u vendos që të dyja përkujtimet të kremtohen në një datë të vetme, më
22 shkurt. Festa – shkruhet në Mesharin Romak – me simbolin e Katedrës, vë në dukje
misionin e Pjetrit si mësues e bari, besuar nga vetë Krishti, mision që vijon ta kryejnë
pasardhësit e tij e që është fillesë e themel i dukshëm i bashkimit të Kishës.
Katedra, në kuptimin e ngushtë të fjalës, është selia e përhershme e papës dhe e ipeshkvijve.
Vendoset në Kishën-nënë të dioqezës (prej këndej edhe emri i saj katedrale) Është
simbol i autoritetit të ipeshkvit dhe i misionit të tij ipeshkëvnor në Kishën vendase.
Ndërsa katedra e Shën Pjetrit tregon pozitën e prijësit në kolegjin apostolik, sipas
vullnetit të vetë Krishtit, i cili i besoi Pjetrit detyrën të kulloste grigjën, dmth
t’i printe popullit të Zotit, Kishës. Pjetri e kryen detyrën që Krishti ia caktoi
para se të kryqëzohej, por edhe pasi u ngjall. Kryeson zgjedhjen e Matisë dhe i flet
në emër të të gjithëve turmës që rend për ta dëgjuar para çenakullit, ditën e Rrëshajëve,
ashtu edhe para sinedrit. Vetë Erodi Agripa e di mirë se zhdukja e prijësit do t’i
jepte një goditje për vdekje Kishës së sapolindur.
Në se prania e Shën Pjetrit në Antioki provohet në mënyrë të pakundërshtueshme, për
ardhjen e Apostullit në Romë në vitet e para të Perandorisë së Klaudit, nuk kemi prova
po aq të sigurta.
Megjithatë mund të themi se lulëzimi i krishterimit në kryeqytetin e perandorisë,
që vërtetohet nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve rreth vitit 57, nuk do të mund
të kuptohej pa praninë e një misionari të klasit të parë. Pavarësisht nga data kur
shkeli në Romë, ardhja dhe martirizimi i Shën Pjetrit në Qytetin e Amshuar vërtetohet
nga tradita shumë të lashta, të pranuara edhe nga studiuesit jo katolikë. E këtë e
vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme edhe gërmimet që u bënë më 1939 me urdhër
të papës Piu XII në Kriptën e Vatikanit, nën Bazilikën e Shën Pjetrit, rezultatet
pozitive të të cilave u pranuan në mënyrë të njëzëshme.
Në kuadrin e festës së Katedrës së Shën Pjetrit, sot pasdite në Romë u mbajt Asambleja
solemne e Rrethit të Shën Pjetrit, shoqatë e lashtë, themeluar në vitin 1869 nën papninë
e Piut IX për të ndihmuar papën në veprimtaritë e tij, sidomos në mbështetje të nevojtarëve.
Ndërmjet nismave të njohura të Rrethit, kujtojmë atë që njihet me emrin “Oboli i Shën
Pjetrit”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |