2017-02-20 16:09:00

Në takimin me fëmijët Françesku ndalohet në disa hollësira personale


Nga Konklavi, tek heqja e një pjese të mushkërisë e tek dëshira fëmijërore për t’u bërë kasap: në dialogun me fëmijët dhe adoleshentët e katekizmit, gjatë vizitës në famullinë romake të Shën Marisë Jozefa, Papa tregoi shumë hollësira interesante nga jeta e tij.

Ëndrra fëmijërore e Papës Françesku ishte të bëhej kasap, ndërsa ndër çastet më të vështira të jetës, ishte ai, kur i hoqën një pjesë të mushkërisë në moshën 20 vjeçare. Kështu Papa hyri në hollësirat intime të jetës së tij, duke krijuar një atmosferë dialogu plot gjallëri me fëmijët e adoleshentët e katekizmit, gjatë vizitës në famullinë romake të Shën Maria Jozefës, në Castelverde di Lungezza.

Në sallonin e teatrit të famullisë nisi, kështu, gara e pyetje-përgjigjeve dhe e fotografive, ngarkuar me kureshtjen e natyrshme të fëmijëve e me sinqeritetin e Papës. Pyetja e parë: “Si zgjidhet Papa e si votojnë kardinajtë?”.

Konklavi nuk zgjedh më të zgjuarin, por atë që do Zoti

Ai që zgjidhet nuk është e domosdoshme të jetë më i zgjuari, më mendjemprehti a më i shkathti në punë. Është ai, që dëshiron Zoti në atë çast për Kishën - shpjegoi Papa - duke i dhënë përgjigje pyetjes, që i drejtuan fëmijët. “Siç e shikoni - vijoi - është një proces i bërë me shumë lutje. Nuk paguhet, nuk ka nevojë për miq të fuqishëm, që t’i japin shtytje, jo, jo! Atëhere, kush do të jetë Papa? Kush është njeriu më i rëndësishëm, që mund të bëhet Papë në grupin e kardinajve? Mendojuni mirë! Kush është?”.

Fëmijët përgjigjen potershëm, dikush Papa (që nuk është zgjedhur akoma), dikush tjetër Zoti, të tjerët Shpirti Shenjt, që përmes votës, bën Papën!

Për t’u bërë Papë - u kujton fëmijëve Françesku - së pari duhet të jesh i krishterë i mirë. Koha kalon. Papa duhet edhe të vdesë, si gjithë bota, ose të dalë në pension, siç bëri Papa i madh Benedikti, sepse nuk kishte shëndet të mirë, e kështu vjen një papë i ri, i zgjedhur nga kardinajtë e ndriçuar prej Shpirtit  Shenjt.

Për mua jeta nuk ka qenë aq e lehtë: Françesku kujton çastin kur i hoqën një pjesë të mushkërisë

Pyetjet prekin, pastaj, tema personale: “Ti, në vogli, ç’dëshiroje të bëheshe kur të rriteshe? - e pyesin fëmijët. “Dëshiroja të bëhesha kasap” - përgjigjet pa u menduar fare Françesku - sepse më pëlqente shumë kasapi, kur punonte në treg. Pastaj Papa ndalohet  tek një çat i vështirë i jetës së tij:

“Sapo i kisha mbushur 20 vjeç, kur  pashë vdekjen me sy, për shkak të një infeksioni. Më hoqën një pjesë të njërës mushkëri…. Po Zoti më ndihmoi të jetoj. E pastaj pata edhe çaste të tjera të vështira, ashtu si i ka gjithkush në këtë jetë. Jeta është dhuratë e Zotit, por ka edhe çaste shumë të këqija, të vështira, që duhen kapërcyer, për të ecur përpara”.  

Për mua jeta nuk ka qenë aspak e lehtë – vijoi Papa -  Vështirësi ka e do të ketë për të tërë, por të gjitha mund të kapërcehen me fe e me guxim.

Një pyetje tjetër drejtuar Papës ishte: “Është e vështirë të jesh përfaqësues i Kishës Katolike?”.

“Po, sepse ke mbi vete një përgjegjësi të madhe - u përgjigj Françesku. - Ai, që përfaqëson Kishën, nuk mund të bëjë figurë të keqe”.

Nëse Papa nuk e ndjen veten atë, e ka diçka mangut

Papa është edhe ipeshkëv e atë; këtë duhet ta ndjejë fort Papa: që është atë; nëse Papa a ipeshkvi nuk ndjehet atë, i mungon diçka. Kështu gjegjet Françesku, e më pas rolet ndërrohen e është Ai, që i pyet fëmijët për Zotin, Trininë Zojën e Bekuar….

Takimi me familjet e asistuara nga Karitasi: është Jezusi që ka nevojë në kë kërkon ndihmë

Pas takimit të ngrohtë me fëmijët, Papa u takua me familjet e asistuara nga Karitasi. Françesku këshilloi “apostullimin e veshit”, domethënë jo vetëm të japësh ndonjë gjë, por sidomos, të dëgjosh. E të kujtohesh se kur vjen ndonjë njeri të të kërkojë ndihmë, ky njeri është vetë Krishti:

“Është vetë Jezusi, që ka nevojë në këtë njeri. ‘Po ky njeri s’bën tjetër, veçse shpërrallon, nuk shkon në Kishë e as që beson në Zotin’… Po ai është Jezusi! Është Jezusi! Është përgjigjja juaj, ajo që e bën të gjerë zemrën e fenë; Jezusi është para meje. E këtë pako ia jap Atij. E edhe këtë buzëqeshje. Kjo është udha e shenjtërisë. Nëse e bëni këtë, do të jeni shenjtorë”.

Sepse është dhembshuria ajo, që ia heq helmin gjuhës së gjarpërit, të cilën ndoshta-ndoshta e ka edhe ndonjë njeri. E edhe unë - tha në përfundim Papa - po trokas në portën e zemrës suaj, duke kërkuar jo një pako, por një lutje!








All the contents on this site are copyrighted ©.