2017-02-19 17:30:00

Vizita e Papës në famullinë e shën Marisë Jozefa të Zemrës së Krishtit


Në orët e para të pasdites së sotme, Papa Françesku shkoi për vizitë baritore në famullinë e shën Marisë Jozefa të Zemrës së Krishtit, në Ponte di Nona, në Castelverde të Lunghezza-s, periferi e Romës. Është vizita e 13-të e Atit të Shenjtë në një famulli të dioqezës së vet. E fundit, qe ajo e 15 janarit në Shën Marinë në Setteville, në komunën e Guidonies.

Papa Françesku u takua me fëmijët e të rinjtë e katekizmit, si edhe me të rinjtë që aktivizohen në teatrin e famullisë. Më pas, me të sëmurët, familjet dhe me veprimtarët e Karitasit. Zona është mjaft e varfër, prandaj qendra e Karitasit, ku shërbejnë rreth 20 vullnetarë, u shpërndan pako me ushqime më se 200 familjeve, gjithsej, 600 vetë. Para kremtimit të meshës me të pranishmit, Ati i Shenjtë dëgjoi rrëfimin e katër besimtarëve.

Vikari i Romës, kardinali Agostini Vallini, që e priti Papën, së bashku me famullitarin, don Francesco Rondinelli e me meshtarë e anëtarë të tjerë të famullisë, lajmëroi për ardhjen e tij pak para Krishtlindjes së vitit të kaluar. “Çdo famullitar ëndërron që bashkësia e tij të vizitohet nga Ati i Shenjtë, por nuk shpresoja kurrë, më dukej një dëshirë e parealizueshme, aq më shumë sepse sapo isha emëruar – shpjegon famullitari, në krye të kësaj detyre vetëm prej 5 muajsh. Kur më thirri kardinali, filluan të më dridheshin këmbët e provova një gëzim të patregueshëm me fjalë”.

I njëjti reagim, edhe kur don Francesco Rondinelli u dha lajmin besimtarëve. “Për disa sekonda – tregon – më panë të shtangur, pastaj shpërtheu hareja. Aspekti, që më mallëngjen më shumë, është se të gjithë, edhe ata që kanë ndonjë problem fizik, ishin të gatshëm të ndihmonin për përgatitjet”.

Shën Maria Jozefa e Zemrës së Krishtit është kishë e ngritur kohët e fundit, kushtuar Marisë Jozefa Sanço de Guerra, themeluese e Kongregatës së Shërbëtoreve të Jezusit të Bamirësisë, kanonizuar më 1 tetor 2000. Shën Gjon Pali II pati shkuar këtu për vizitë më 16 dhjetor 2001, pati kremtuar meshën dhe i pati dhuruar famullisë një kryq të çmuar dhe një pikturë të Zojës së Mëshirës - “La Pietà”.








All the contents on this site are copyrighted ©.