2017-02-19 19:24:00

Papa Françesku në famullinë e Shën Maria Jozefës së Zemrës së Krishtit: falja është udha drejt shenjtërisë


Papa vizitoi sot pasdite Famullinë e Shën Maria Jozefës së Zemrës së Krishtit në Castelverde di Lunghezza, periferia Lindore e Romës. Para Meshës, u takua me të rinjtë, të sëmurët, familjet e asistuara nga Karitasi i famullisë dhe rrëfei disa besimtarë. Pastaj, Mesha, me homelinë e mbajtur lirisht, nga e cila po japim pjesën kryesore.

Sot në leximet është një mesazh i pashembullt. Leximi i parë është Fjala e Zotit, që na thotë: “Të jeni shenjtorë, sepse unë, Zoti juaj Hyj, jam shenjt!” Këtë na thotë Zoti Atë. E Ungjilli përfundon me këtë fjalë të Jezusit: “Ju të jeni të përkryer, ashtu si i përkryer është Ati juaj qiellor”, njëlloj. E ky është program jete. Të jeni shenjtorë, sepse Ai është shenjt; të përkryer, sepse edhe Ai është i përkryer. E ju mund të më pyesni: “Por, o atë, si është rruga drejt shenjtërisë, udha për t’u bërë shenjtorë?”.

Na e shpjegon shumë mirë Jezusi në Ungjill; e shpjegon në mënyrë konkrete, “Para së gjithash, qe thënë ‘sy për sy e dhëmb për dhëmb’, por unë po ju them: mos u kapni me të mbrapshtin, mos merrni hak”. Nëse kam në zemër mllef për ndonjë gjë, që ma bëri ndokush e dua t’ia marr hakun, kjo më largon nga udha drejt shenjtërisë. Nuk duhet të hakmerremi! “Jo po ma bëre, e do të ma paguash!”. E krishterë ju duket kjo? Jo! Do të ma paguash nuk hyn në gjuhën e të krishterit. Jo hakmarrjes! E jo mllefit! “Po ky po ma bën jetën të pamundur! Fqinja ime s’bën gjë tjetër, veç më përgojon ditë për ditë! E edhe unë ia kthej me të njëjtën monedhë…”. Jo! Çfarë thotë Zoti? “Lutu për të!”. “Si, për atë u dashka edhe të lutem?”. “Po, lutu!”. Kjo është udha e ndjesës, duhet t’i harrosh fyerjet. Të japin një shuplakë në faqen e djathtë? Kthejua edhe tjetrën. "E keqja mundet me të mirë, mëkati, me këtë bujari, me këtë forcë”. Është tejet i keq mllefi. Nuk është gjë e vogël. Luftërat e mëdha ne i shikojmë për ditë në lajmet që jep televizori e tmerrohemi: sa masakrime njerëzish, fëmijësh, sa urrejtje! Mos harro! Është e njëjta urrejtje që e ke edhe ti në zemër, për ndonjë pjesëtar të familjes, për vjehrrën tënde, për njërin a tjetrin: njëlloj! Kjo është e zmadhuar, por është e njëjta gjë! Mllefi, dëshira për të marrë hak! Për ta bërë tjetrin ta paguajë! Po kjo nuk është e krishterë. E “Të jeni shenjtorë, si Zoti është shenjt”; “Të jeni të përkryer, si i përkryer është Ati im”, i cili bën të lindë dielli mbi të mirë e mbi të këqij e bën të reshet shiu mbi të drejtë e të padrejtë. Kjo, udha e shenjtërisë, e kjo i largon luftërat. E nëse të gjithë burrat e gratë do ta mësonin këtë, nuk do të kishte luftëra. Lufta nis  nga zemërimi, nis nga mllefi, nga dëshira për hakmarrje, për ta bërë tjetrin të ta paguajë. Po kjo rrënon familjet, rrënon miqtë, rrënon lagjet, rrënon shumë, shumë… E ç’duhet bërë? Ta thotë Jezusi: “Duajini armiqtë tuaj! E lutuni për ata, që ju persekutojnë!”. “Të lutem për atë, që më bën keq?”. Po, lutu, që të ndërrojë jetë, që Zoti ta falë. Kjo është shpirtmadhësia e Zotit. Zoti ka zemër të madhe. E ti, a je i mëshirshëm me njerëzit, që të bëjnë keq? Ose që nuk të duan? Nëse Ai është i mëshirshëm, duhet të jemi edhe ne të mëshirshëm; nëse Ai është i përkryer, duhet të jemi edhe ne të përkryer. E të lutemi për ata, që nuk janë të mirë, për të gjithë!

Kjo është shenjtëria eh? Burri a gruaja, që e bëjnë këtë, meritojnë të shenjtërohen. Kaq e thjeshtë është jeta e krishterë. Bekojini ata, që ju urrejnë! Lutuni për ata, që nuk ju duan. Ndoshta mllefi nuk na zhduket nga shpirti, por ne po e bëjmë përpjekjen për të ecur në udhën e Zotit, që është kaq i mirë, i mëshirshëm, shenjt e i përkryer për të gjithë. Edhe ne duhet të jemi kështu. Të lutemi edhe për ata, që vrasin fëmijë në luftë. Është e vështirë, e largët. Po duhet të mësohemi ta bëjmë. Që të pendohen e të bëjnë kthesë. “E vështirë, kjo, o Atë. Unë do të kisha dëshirë t’ua përdridhja qafën!”. Po, lutu! Lute Zotin që ta ndryshojë jetën. Lutja është e fuqishme, fiton mbi të keqen, sjell paqen. Ungjilli, Fjala e Zotit sot është e  thjeshtë. Kjo është këshilla: “Të jeni shenjtorë, sepse unë, Zoti juaj Hyj, jam shenjt!”. “Të jeni të përkryer, ashtu si përkryer është Ati juaj qiellor”. E për këtë kërkoni hirin të mos mbeteni të pushtuar nga mllefi, hirin të luteni për armiqtë, të luteni për njerëzit, që nuk ju duan, hirin e paqes. Ju lutem ta bëni këtë përvojë: çdo ditë. Kështu fitohet. Kështu do të mund të ecim në udhën e shenjtërisë e të përsosurisë. Ashtu qoftë!








All the contents on this site are copyrighted ©.