2017-02-17 13:39:00

Papa: studentët, Françesku i pakundshoq, nuk na zhgënjeu


“Papa Françesku është i pakundshoq, ishim të sigurt se nuk do të na zhgënjente; e kështu edhe ndodhi!”. Një grup studentësh komentojnë, në sheshin e ateneut Roma Tre, vizitën e Françeskut, që sapo përfundoi, duke shikuar në celularët e tyre fotot, mbetur aty, si kujtim i kësaj dite të paharrueshme. E edhe të papërsëritshme, për emocionet krejt të veçanta, që shkaktoi, duke prekur mendje e zemra. E nuk janë të vetmit, që e konsiderojnë të paharrueshëm këtë takim. Kujtojnë, sidomos, se Papa iu drejtua të gjithëve, pa dallim feje, as prejardhjeje. E kështu preku drejtpërdrejt pikën më delikate: atë të unitetit. Me vlerë të dorës së parë në këtë situatë, që kalon bota e në mes të studentëve universitarë.

Erdhëm që në orën 7 - kujtojnë më tutje dy studente - që të mund ta dëgjonim nga afër e t’i shtrëngonim edhe dorën.

Emocion i pashembullt! Shesh, që tundet nga brohoritjet e studentëve: “Rroftë Papa!” e “Françesku, Françesku!”.  Brohoritje, që e pritën Papën kur hyri edhe e përcollën, kur doli. Duke lënë pas shumë fjalë, që nuk do të shlyhen kurrë nga kujtesa e studentëve.

“Eshtë vizitë historike - komenton një studente e drejtësisë - e vlerësova shumë fjalën e Papës kushtuar integrimit, në një vend si universiteti. Fjalët e tij hynë drejt e në zemra, aq më shumë sepse foli lirisht, pa tekst të përgatitur më parë. Na la pas një kujtim të paharrueshëm, me vlera të mirëfillta për të ardhmen tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.