2017-02-17 06:00:00

Papa: emigrantët nuk janë të rrezikshëm, Islami nuk është terrorizëm


“Emigracioni nuk është rrezik”. Gjatë vizitës në Universitetin Roma Tre, Papa Françesku deshi t’u japë përgjigje atyre, që thonë se duan të mbrojnë identitetin e krishterë të Evropës e kanë frikë se njerëz të kulturave të tjera mund ta ndryshojnë këtë identitet. “Evropa është krijuar nga pushtimet, emigracionet e është bërë në mënyrë artizanale”, theksoi Ati i Shenjtë. “Emigracioni nuk është rrezik, është sfidë për t’u zhvilluar më tej”.

Papa Françesku pranoi se fenomeni i emigracionit është i rëndësishëm. Nga Lindja e Mesme, nga Afrika, njerëzit ikin për shkak të luftrave e konflikteve. “Ka luftë dhe ikin nga lufta; ka uri e ikin nga uria – vërejti Ati i Shenjtë. Por cila do të ishte zgjidhja ideale? Që të mos ketë më uri e luftë. Që të ketë paqe e të bëhen investime në ato vende, që të kenë punë e ta fitojnë jetën”. Por, në përgjithësi, Perëndimi nuk shihet kështu. Shihet si shfrytëzues, denoncoi Françesku.

Edhe përsa i përket terrorizmit, Papa Françesku nuk e pa të lidhur me ndonjë fe të caktuar. Për të, terrorizmi nuk përcaktohet nga feja, sepse në çdo popull e në çdo fe, ka njerëz fundamentalistë e të dhunshëm, që ushqehen me urrejtje e ksenofobi. Duke iu përgjigjur pyetjes së një refugjateje siriane mbi rrezikun islamik, Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se të rinjtë, që shkaktuan, më 22 marsin e kaluar, masakrën e aeroportit të Zaventemit, ishin emigrantë të brezit të dytë, lindur në Belgjikë, por të getizuar e jo të integruar.

Pastaj Papa Bergoglio foli edhe për temën e papunësisë në gjirin e rinisë. “Të rinjtë – ngriti zërin Françesku – nuk dinë ç’të bëjnë. Si i ri pa punë, e kam zemrën e trishtuar: e kjo ku më çon?”, pyeti. Nëse nga njëra anë, mund të shërbejë si nxitje për të shikuar më gjerë e për të ecur më me guxim në jetë, duke u përpjekur për ta ndryshuar atë, nga ana tjetër, mungesa e punës, fatkeqësisht, mund ta nxisë ndokënd të vrasë vetën (siç ka ndodhur), ose të hidhet në krahët e terrorizmit, thjesht, për t’i dhënë një farë kuptimi jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.