2017-02-17 10:25:00

Më 17 shkurt kalendari kujton 7 shenjtorët themelues të Shërbëtorëve të Lumes Virgjërës Mari


Kalendari i Kishës katolike përkujton Shtatë Themeluesit e Urdhërit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari. Në Firencën e shekullit XIII, të pasur me kulturë e me para, udhëkryq idesh e luftërash ndërmjet guelfëve e bigelinëve, nuk munguan burra e gra që praktikonin jetën ungjillore.Ndërmjet tyre është edhe grupi që u njoh me emrin “vëllezërit dhe motrat e pendesës”, formuar nga tregtarë e borgjezë të pasur të cilët, ndonëse duke banuar secili në shtëpinë e vet e duke u marrë me punët e familjet e veta, u impenjuan me gjithë shpirt në vepra bamirësie, sidomos në ndihmë të të varfërve, të të sëmurëve e në pjesëmarrjen në jetën liturgjike. Ndërmjet tyre shumë shpejt u dallua për zell shpirtëror e për impenjim shoqëror një grup prej shtat vetash. 

E sipas traditës, rreth vitit 1233, kur Firence tronditej nga luftërat vëllavrasëse, shtatë tregtarë fiorentinë, anëtarë të një shoqërie ku bënin pjesë besimtarë të devotshëm të Virgjërës Mari, u tërhoqën në Malin Senario, pranë qytetit të tyre, duke iu përgjegjur thirrjes së Zotit për t’ia kushtuar plotësisht jetën. Braktisën shtëpitë e nisën të jetonin në lutje e pendesë, sipas modelit të Virgjërës Mari. Të gjitha pasuritë që kishin, ua ndanë të varfërve. Ndërtuan një shtëpizë e një orator kushtuar Zojës së Bekuar. 

Nga kjo thirrje nisi lulëzimi i urdhrit të Shërbëtorëve të Marisë.  Njëri nga të shtatët, Aleks Falkonieri, vdiq më 1310, por të tjerët vijuan veprën e tij. Kalonin një jetë të vështirë e vetmitare. Megjithatë nuk u largoheshin njerëzve që, të shtyrë nga ankthi e nga dyshimi, kërkonin prej tyre një fjalë ngushëlluese. Fama e shenjtërisë së maristëve u përhap aq shumë, sa me qindra vetë kërkonin të bashkohesin me ta. Prandaj vendosën të themelonin një urdhër, kushtuar Virgjërës Mari, pasi e kishin quajtur veten shërbëtorë të Nënës së Krishtit.

Përshtatën Rregullën e Shën Agostinit. Më 1888 Papa Leoni XIII shpalli shenjtër 7 etërit e parë të Urdhërit, që janë varrosur në një varr të përbashkët në Malin Senario, aty ku patën jetuar së bashku. Mbi rrasën e këtij varri të thjeshtë, si jeta e tyre, lexojmë shtatë emra: Shën Bonfiglio, Shën Bonagiunta, Shën Maneti, Shën Amadi, Shën Sostenjo, Shën Uguçione, Shën Aleksi – që në shqip tingëllojnë pak a shumë: Birmiri, Bashkimiri; Dorarti, Ndihmëtari, Barabarti....Maristët tashmë janë me mision edhe në Shqipëri e pikërisht në Vlorë.








All the contents on this site are copyrighted ©.