2017-02-15 13:06:00

Papa: shpresa e krishterë nuk përjashton as nuk mënjanon kënd


 Vetëdija e dashurisë së Zotit për ne është rrënja e shpresës së krishterë, që nuk të zhgënjen kurrë, nuk përjashton, as nuk mënjanon kënd. Kështu u shpreh Papa në audiencën e sotme të përgjithshme në Sallën Pali VI, ndëprerë më se një herë nga këngët e koret e besimtarëve, ardhur nga mbarë bota, që Françesku i përshëndeti me gëzim, duke i nxitur të ngulmojnë po kështu edhe në lutje, kur i kërkojnë hire Zotit. 

Shpresa nuk zhgënjen kurrë

Shpresa, që na dhuroi Zoti, nuk na ndan nga të tjerët, aq më pak na lejon t’i diskreditojmë a t’i mënjanojmë! Papa Françesku vijoi përsëri të shpjegojë kuptimin e shpresës së krishterë, duke theksuar edhe një herë se ajo nuk të zhgënjen kurrë, ngaqë është e fortë e themeli i saj është gjëja më  besnike e më e sigurt: dashuria e Zotit për ne:

“Është e lehtë të thuash: Zoti na do. E themi të gjithë. Pa, të mendohemi pakëz:  a mund të themi të gjithë: jam i sigurt, jam i sigurt se Zoti më do? Është e nuk është aq e lehtë të thuhet. Edhe pse e vërtetë. Ushtrim i mirë, ky t’i themi vetes: ‘Zoti më do’. E kjo është edhe rrënja e sigurisë sonë rrënja e shpresës sonë. E Zoti e dikoi begatisht në zemrat tona Shpirtin - që është dashuria e Tij - si krijues, si garant, pikërisht që ta ushqejë në zemrën tonë fenë e të na e mbajë gjallë shpresën”.

Zoti ua hap shtëpinë të gjithëve, duke nisur nga më të fundmit

Fakti që Zoti na do gjithmonë - edhe në çastet më të  rënda a kur kemi bërë ndonjë gjë të keqe - na siguron se askush nuk mund të na e marrë dashurinë e tij, e  këtë - shtoi Papa - duhet ta përsërisim si lutje. Është fjala për një dhuratë të jashtëzakonshme, e ne jemi të thirrur të bëhemi, përvuajtërisht e thjeshtësisht, kanale të saj për të gjithë:

“E atëhere mburrja jonë më e madhe do të jetë se kemi për Atë një Zot, që nuk bën dallime, që nuk e përjashton asnjeri, por që ua hap shtëpinë të gjitha qenieve njerëzore, duke nisur nga të fundmit e nga të largëtit, në mënyrë që, si bij të Tij, të mësohemi ta ngushëllojmë e ta mbështesim njëri-tjetrin”.

Në viset e mia mburracakët i quajnë “pavoda”

Papa reflektoi mbi një fragment të Letrës drejtuar Romakëve, në të cilin Shën Pali na fton të mburremi. Por ne që në mituri na mësojnë se të mburresh nuk është gjë e bukur – kujtoi Papa – dhe shtoi:  

“Në tokën time ata që mburren quhen “pavoda” . Dhe është e drejtë, sepse të mburresh për atë që je, a për atë që ke, përveçse një farë mendjemadhësie, tregon edhe mungesë respekti ndaj të tjerëve, posaçërisht ndaj atyre, që kanë më pak fat sesa ne”.

Nuk veprojmë ne, vepron Zoti

E megjithatë - vërejti Papa - për diçka është e drejtë të mburremi a të krenohemi. Apostulli i Popujve na nxit të krenohemi për begatinë e hirit, me të cilin mbushemi në Jezu Krishtin, përmes fesë:

“Po të mësohemi ta lexojmë çdo gjë në dritën e Shpirtit Shenjt, kujtohemi se gjithçka është hir! Se kush vepron në histori, ashtu si dhe në jetën tonë - nuk jemi vetëm ne - por mbi të gjitha, është Zoti. Është ai protagonisti absolut, që e krijon çdo gjë si dhuratë dashurie; Ai, që  endi  pëlhurën e planit të shëlbimit tonë e që e përmbushi plotësisht për ne, përmes Birit të tij Jezus. Ne na kërkohet vetëm ta pranojmë gjithë këtë, ta presim me mirënjohje e ta bëjmë këngë lavdërimi, bekimi e gëzimi të madh”.

Paqe, në të gjitha marrëdhëniet e jetës sonë

Nëse e bëjmë këtë - pohoi Françesku - jemi në paqe me Zotin e provojmë shijen e lirisë:

“E kjo paqe shtrihet, pastaj, mbi të gjitha mjediset e mbi të gjitha marrëdhëniet e jetës sonë: jemi në paqe me vetveten, jemi në paqe me familjet tona, me bashkësitë, në punë e me njerëzit që takojmë çdo ditë në udhën tonë”.

Provojmë dashurinë e Zotit

Por Pali na nxit të krenohemi edhe në trazira. E kjo na duket më e vështirë - shpjegoi Papa - madje ndokush mund të mendojë se nuk ka të bëjë fare me paqen, që sapo e përshkruam. Ndërsa ne na duket parakushti më i mirëfilltë, më i vërtetë. E kjo, sepse paqja, që na e dhuron e na e garanton Zoti, nuk duhet kuptuar si mungesë shqetësimesh, zhgënjimesh e provash, që, natyrisht, na bëjnë të vuajmë. Po të ishte kështu, në rastet kur do të mund të ishim në paqe, ky çast do të përfundonte shpejt e do të binim pashmangshmërisht në dëshpërim:

“Paqja, që buron nga feja, është dhuratë: është hir që na bën të provojmë se Zoti na do, se e kemi përherë pranë, se nuk na lë vetëm për asnjë çast të jetës sonë. E kjo, siç pohon Apostulli, lind durimin, nga që e dimë se, edhe në çastet më të vështira e më tronditëse, mëshira dhe mirësia e Zotit janë më të mëdha se gjithçka e se s’ka gjë që mund të na shkëpusë nga duart e Tij e nga bashkimi me Të”.

Kultura gjithëpërfshirëse dhe uniteti i fesë në Evropë

Kuptojmë, kështu, pse Apostulli na nxit të mburremi me dashurinë e Zotit: sepse “Zoti më do” - përfundoi Françesku - duke i nxitur besimtarët, në gjuhë të ndryshme, të promovojnë kulturën, që i përfshin të gjithë njerëzit, edhe, e sidomos, ata që janë të vemtuar e pa strehë mbi kokë. E më pas  kujtoi se dje u kremtua festa e Shenjtorëve Pajtorë të Evropës, Çirili e Metodi, që  i kujtojnë Kontinentit të vjetër dhe ne të gjithëve  - nënvizoi – “nevojën e mbrojtjes së unitetit të fesë, të traditës, të kulturës së krishterë si dhe të jetuarit e përditshëm të Ungjillit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.