2017-02-15 18:43:00

Koch e Hilarion kremtojnë, në Friburg, kryevjetorin e takimit të Papës me Patrikun Kirill


 “Si për çdo ngjarje të madhe historike, do të duhet pa dyshim kohë, që takimi i Havanës dhe Deklarata e përbashkët të japin frytet e veta”. Një vit pas takimit të Papës Françesku me Patrikun e Moskës dhe të gjithë Rusive Kirill, në Kubë, kardinali Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve mori pjesë, në Universitetin e Friburgut, në përkujtimin historik të ngjarjes, së bashku me metropolitin Hilarion, kryetar i Departamentit për marrëdhëniet e jashtme kishtare të Patriarkanës ortodokse. Kardinali Koch, në fjalimin e rastit, vuri theksin mbi tre drejtime, që mund të përshkohen krah për krah, duke u nisur nga Deklarata e Papës dhe e Patrikut: ekumenizmi i shenjtorëve, ekumenizmi kulturor, ekumenizmi i veprimtarive të përbashkëta.

Drejtimi i parë, me karakter shpirtëror, niset nga fakti se të dyja Kishat kanë një traditë të përbashkët shpirtërore, atë të shekullit I të krishterimit. Përveç shkëmbimit të relikeve ose të ikonave, që mund t’i japë frymë popullore marrëdhënieve ndërmjet dy Kishave, mund të shpresohet edhe njohja reciproke e disa shenjtorëve që, siç nënvizon Papa Françesku, do të ndërmjetësojnë edhe për bashkimin e plotë të dy Kishave.

Drejtimi i dytë, ai kulturor, nënvizon rëndësinë që ka njohja e kulturës së njëri-tjetrit, për të mësuar nga njëri-tjetri, siç porosit Papa Françesku. Nisma të kësaj natyre ishin vizitat reciproke të studimit të meshtarëve të rinj ortodoksë e katolikë në Romë, në Moskë e në Shën Petersburg.

Drejtimi i tretë, i ekumenizmit praktik, lidhet me gjendjen e të krishterëve të Lindjes së Mesme, me lirinë fetare, me solidaritetin ndaj të varfërve, familjes e të rinjve. Kardinali Koch theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, që mund të ketë pasoja shumë pozitive mbi dialogun  teologjik ndërkombëtar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.