2017-02-14 14:41:00

Papa: vazhdon mbledhja e Këshillit të 9 kardinajve për reformën e Kuries


Vazhdon punimet Këshilli i 9 kardinajve, mbledhur në Vatikan me Papën Françesku. Është e 18-ta herë që Ati i Shenjtë Bergoglio e mbledh Grupin e 9 kardinajve, me sekretarin e Shtetit të Vatikanit kardinalin Pietro Parolin e 8 kardinaj tjerë, të cilët janë thirrur për të punuar në reformën e Kuries Romake.

Qysh në ditën e parë të mbledhjes së nëntë kardinajve, kardinali Oscar Andrés Rodrìguez Maradiaga, koordinator i grupit “e falënderoi Papën Françeskun në emër të gjithë anëtarëve, për fjalët e tij e për dëshminë e tij”. “Në lidhje me ngjarjet e fundit – pohon një deklaratë e  Vatikanit, duke përmendur posterat kundër Atit të Shenjtë Bergoglio, që u vendosën në muret e Romës – Këshilli i Kardinajve shpreh mbështetjen e plotë për veprën e Papës, duke i siguruar njëkohësisht përkrahjen e plotë për atë vetë e për Magjisterin e tij”.

“Revolucioni i Papës Françeskut është ai tipik i Ungjillit, që vjen për të na ndryshuar ne, zemrat tona, mendësinë tonë për horizonte tjera e të reja, për synime e caqe tjera”. Kështu pohoi kardinali nga Hondurasi Oscar Rodriguez Maradiaga, koordinator i Grupit të 9 kardinajve, në një bisedë, gjatë vizitës së tij bërë këtyre ditëve në famullinë kishtare romake të Shën Tomës Moro e botuar nga e përvajshmja dioqezane RomaSette.

Revolucioni, për kardinalin Maraidaga, ka filluar me zgjedhjen e emrin Françesk: “Tha se donte të quhej kështu sepse e donte një Kishë të varfër e për varfrit”. Papa Françesku është një dëshmitar i varfërisë”. Pastaj, kemi gjestet e tij: “Nuk janë artificialë, burojnë nga zemra e një bariu shpirtëror që ka aromën (erën) e deleve”. E, në vijim, është reforma e kushtetutës Pastor Bonus, që përcaktonte organizimin e kuries romake deri më 2013, me po vijon me ndihmën e një Këshilli të kardinajve: “E kishte ndër mend të bënte këtë zgjedhje. Flitej për nevojën e këtij organi në mbledhjet e para konklavit, sepse Papa nganjëherë nuk ishte mirë i informuar”. Deri më tani janë bërë 18 reforma. “Njëri prej kritereve është ai i një kurie romake më të thjeshtë e më funksionale, duke reduktuar numrin e dikastereve të Vatikanit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.