2017-02-14 13:59:00

Papa: Cirili e Metodi, lajmëtarë të Ungjillit me guxim, lutje e përvuajtëri


Guxim, lutje dhe përvuajtëri: këto janë tiparet, që i dallojnë “lajmëtarët” e mëdhenj, që kanë ndihmuar në përhapjen e krishterimit në botë e në misionin e Kishës. Në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku foli sot për shën Cirilin e Metodin, Pajtorë të Evropës, në festën e tyre liturgjike.

Cirili e Metodi e bënë më të fortë Evropën

 Edhe sot, vërejti Papa, kemi nevojë për njerëz, që mbjellin farën e Fjalës së Zotit, për misionarë e lajmëtarë të vërtetë të Ungjillit, që dinë ta formojnë Popullin e Hyjit, ashtu si shenjtorët Cirili e Metodi, vëllezër të guximshëm e dëshmitarë të Zotit, që e bënë Evropën më të fortë. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë përvijoi tre tiparet e “të dërguarit”, që kumton Fjalën e Hyjit. Në Leximin e parë të liturgjisë së sotme flitet për Palin e Barnabën, ndërsa në Ungjillin sipas Lukës, për 72 dishepujt, që Krishti i nisi dy e nga dy. Tipari i parë i këtyre “të dërguarve”, nënvizoi Papa, është “çiltërsia”, e cila përmban edhe “forcën e guximin”:

“Fjala e Zotit nuk mund të çohet si propozim – ‘nëse të pëlqen…’ – ose si ndonjë ide filozofike a morale e mirë – ‘mund të jetosh edhe kështu…’. Jo! Është diçka tjetër. Ka nevojë të propozohet me çiltërsi, me një forcë që e bën Fjalën të hyjë deri në kockë, siç thoshte Pali. Fjala e Hyjit duhet kumtuar me këtë lloj çiltërsie, me këtë lloj force… me guxim. Njeriu që s’ka guxim – guxim shpirtëror, guxim zemre – njeriu, që nuk është i dashuruar pas Jezusit - sepse prej andej vjen guximi – do të thotë vërtet ndonjë gjë interesante, diçka të moralshme, diçka që bën mirë… një mirësi filantropike, por ajo nuk është Fjala e Zotit. E kjo fjalë e tij nuk e ka aftësinë për të formuar Popullin e Zotit. Vetëm Fjala e Hyjit, kumtuar me çiltërsi, me guxim, është në gjendje të formojë Popullin e Zotit”.

Pa lutje, Fjala e Zotit kthehet në konferencë

Nga kapitulli 10 i Ungjillit sipas Lukës, Papa Françesku mori tiparet e lajmëtarit të Fjalës së Zotit. Ungjill pak si i çuditshëm, tha Ati i Shenjtë, sepse është i pasur me elemente për kumtimin. “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta”, përsëriti Ati i Shenjtë pjesën ungjillore. E kështu, pas guximit të misionarëve, nevojitet lutja:

“Fjala e Zotit kumtohet edhe me lutje. Gjithmonë. Pa lutje, mund të bëjmë një konferencë të bukur, të japim mësime shumë të mira, të shkëlqyera! Por ajo nuk është Fjala e Zotit. Vetëm nga një zemër që lutet mund të dalë Fjala e Hyjit. Të lutemi që Zoti ta shoqërojë hedhjen e farës së Fjalës së Tij, që Ai i Lumi ta vadisë farën që të mbijë Fjala. Fjala e Hyjit duhet shpallur me lutje: me lutjen e atij, që e kumton atë”.

Predikatori i vërtetë është i përvuajtur, përndryshe përfundon keq

Në Ungjill përshkruhet edhe një tipar tjetër interesant, vërejti Papa Bergoglio. Zoti i dërgon dishepujt “si qengja në mes të ujqërve”:

 “Predikatori i vërtetë e di se është i brishtë, se nuk mund të mbrohet vetë. ‘Ti shkon si qengji në mes të ujqërve’ – ‘O Zot, që të më hanë?’ – ‘Ti shko! Kjo është rruga’. Besoj se shën Krizostomi bën një reflektim shumë të thellë kur thotë: ‘Nëse ti nuk shkon si qengj, por si ujk në mes të ujqërve, Hyji nuk të mbron: mbrohu vetë’. Kur predikatori kujton se është tepër inteligjent e kur ai që ka përgjegjësi për kumtimin e Fjalës së Zotit vepron dhelpërisht - ‘Epo, unë ua hedh këtyre njerëzve!’ - përfund keq. Do ta verë në diskutim Fjalën e Zotit… me të pushtetshmit, me mendjemëdhenjtë”.

Të guximshëm në lutje e lajmëtarë si shën Cirili e shën Metodi

E për ta përcaktuar edhe më mirë natyrën e lajmëtarit të vërtetë të Fjalës së Zotit, Papa Françesku kujtoi një episod, që i pati treguar dikush, i cili lavdërohej se predikonte mirë dhe e ndjente veten “ujk”. Pas predikimit të bukur, vijoi Ati i Shenjtë, shkoi në rrëfyestore dhe i erdhi një person i rëndësishëm, me shumë mëkate, që qante e kërkonte falje. E rrëfyestari, duke u mbajtur me të madh, e pyeti cila nga fjalët e predikimit e kishte prekur aq sa të pendohej e të derdhte lot. “Ishte kur ju thatë: kalojmë në argumentin tjetër”, iu përgjigj mëkatari. Nuk e di nëse është e vërtetë, përfundoi Papa, por kur e ndjejmë veten tepër të sigurtë e nuk jemi të përvuajtur, kështu mbaron puna. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë t’i luten shën Cirilit e shën Metodit, që secili ta kumtojë Fjalën e Zotit ashtu siç bënë ata, me përvuajtëri e guxim.








All the contents on this site are copyrighted ©.