2017-02-13 13:42:00

Papa: të frenohen menjëherë mllefet e vogla, që e shkatërrojnë vëllazërinë


Shkatërrimi i familjeve dhe i popujve nis nga mllefet e vogla e nga zilitë; duhet frenuar që në fillim mllefi, që e shlyen vëllazërinë: këtë theksoi sot Papa gjatë homelisë në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Meshë, që e ofroi për atë Adolf Nicolás, epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezuitëve nga viti 2008, në vitin 2016, i cili pasnesër niset drejt Lindjes, për të vijuar misionin e tij. “Zoti - theksoi Papa - e shpërbleftë për gjithë të mirat, që bëri”.

Vëllazëri e shkatërruar për vogëlsira

Në qendër të homelisë së Papës, Leximi I, shkëputur nga Libri i Zanafillës, që flet për Kainin e Abelin. Për herë të parë në Bibël dëgjohet fjala “vëlla”. Nis, kështu, historia e vëllazërisë, që duhet të rritej, që duhet të ishte e bukur. Ndërsa u shkatërrua pa nisur mirë. Histori, kjo, që nisi me një zili të vogël. Kaini u zemërua sepse Zotit nuk i pëlqeu flija e tij. E ndjeu sesi në zemër nisi ta pickojë zilia. Mund ta kishte frenuar e ta kishte zhdukur, po nuk e bëri:

“Kainit i pëlqeu më shumë instinkti, i pëlqeu ta gatuajë në shpirt mllefin, ta zmadhojë, ta lërë të rritet e të bëhet mal. Mëkati, që do të bënte më pas,  u gatua në furrikun e mllefit. E u rrit. E u rrit. Kështu rriten e lulëzojnë si barëra të këqija, armiqësitë ndërmjet nesh: nisin me një vogëlsi, me një xhelozi, me një zili, e pastaj këto rriten e ne nisim ta shikojmë jetën vetëm nga kjo pikë. E ky fill kashte zmadhohet e bëhet tra, duke harruar se traun e kemi në syrin tonë, ndërsa e shikojmë vetëm në syrin e tjetrit. E jeta jonë sillet e përsillet rreth kësaj ndjenje shkatrrimtare; e kjo i shkatërron lidhjet e vëllait me vëlla.

Mllefi nuk është i krishterë

Hap pas hapi nisim ta ndjejmë sesi mllefi na e ha shpirtin, na ndjek pas kudo, na persekuton gjithnjë më shumë, më shumë:

“E kështu rritet e rritet armiqësia e përfundon keq. Unë shkëputem nga vëllai im,  nuk e kam më vëlla, por armik, që duhet rrënuar, duhet bërë hi e pluhur...e kështu shkatërrohen njerëzit, kështu armiqësitë rrënojnë familjet, popujt, të gjithë e gjithçka. E kjo i ndodhi edhe Kainit, derisa ia mori jetën të vëllait. Jo! Ai nuk është vëlla. Jam vetëm unë. E ku ka vëllazëri në këtë botë? Jam unë e s’ka tjetër. Kjo, që ndodhi në zanafillë, ka shumë mundësi   të na ndodhë të gjithëve: po ky proces duhet ndaluar menjëherë, që në fillim, që në shenjat e para të zemërimit, i duhet dhënë fund menjëherë. Zemrimi nuk është i krishterë. Dhembja po, por jo zemërimi me tjetrin. Mllefi nuk është i krishterë. Dhembja po, mllefi jo! Eh, sa armiqësi, sa golle krijohen në këtë botë.  

Gjaku i sa e sa njerëzve në botë çon zërin kah Zoti

Gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa vijoi të theksojë: “Edhe në gjirin e meshtarëve tanë, të kolegëve tanë ipeshkvij, sa e sa  ftohje nisin pikërisht kështu. ‘E pse atij i dhanë atë seli, e nuk ma dhanë mua?’. E ... sa e sa fjalë të tjera të vogla, të vogla .. që krijojnë pikërisht përçarjen... që rrënojnë vëllazërinë”.

E Zoti vijon të pyesë: “Ku është Abeli, jo vëllai!”. Përgjigjja e Kainit është “ironike”: “Nuk e di! Thua jam unë rojtari i tim vëllai?”. E Zoti i kujton: “Zëri i gjakut të vëllait tënd, bërtet kah unë prej dheut!”.

 Secili na ne  - vijoi Papa -  mund të thotë se nuk ka vrarë kurrë. Po nëse ti e ke shpirtin plot me mllef kundër vëllait, ta dish se e ke vrarë; nëse e fyen vëllain, e ke vrarë në zemër tënde. Vrasja është proces, që nis nga vogëlsirat.  Kështu ne e dimë “ku janë ata, që u bombarduan, që u dëbuan...”, por “këta nuk janë vëllezërit tanë”:

“E sa njerëz të pushtetshëm të tokës mund ta thonë këtë... ‘Mua më intereson ky territor, më intereson kjo copë toke, kjo tjetra... e nëse bomba vret 200 fëmijë, ky nuk është faji im, fajin e ka bomba. Unë dua territorin...”.

E gjithçka nis nga kjo ndjenjë, që të nxit të veçohesh e të thuash:

“Ky është askushi, nuk është vëlla. E puna mbaron me luftën, që vret. Po ti vrave që në fillim. Ky është procesi i gjakut, e gjaku i shumë e shumë njerëzve në botë këlthet prej dheut, kah Zoti!”.

Por gjithçka e ka një lidhje, eh? Edhe ky gjak - ndoshta një pikël gjaku - lidhet me zilinë time, me mllefin tim. Ndoshta është pikërisht inati im, që e shkaktoi, kur e shkatërrova vëllain!

Një gjuhë, që rrënon të afërmin

Zoti - u lut në përfundim Papa - na ndihmoftë ta përsërisim sot këtë pyetje: “Ku është vëllai yt!’, na ndihmoftë të mendojmë për ata, që i rrënojmë me gjuhë, e edhe për të gjithë ata  njerëz që, në këtë botë, trajtohen si sende e jo si vëllezër, sepse për ndokënd ka më shumë rëndësi një copëz tokë, sesa lidhja e vëllazërisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.