2017-02-13 13:52:00

Dom Nikolin Toma e dom Artur Jaku: kardinali Ernest Troshani një dëshmitar i çmueshëm për Kishën e popullin shqiptar


Në festën e Zojës së Lurdë, të shtunën më 11 shkurt 2017, me kremtimin e Meshës solemne, Hirësia Tij Kardinali shqiptar, Ernest Simoni-Troshani mori në dorëzim Kishën romake të shërbimit, Shën Maria e Shkallës, në Trastevere në Romë, të cilën Papa Françesku ia ka besuar për misionin e tij kardinalor.

Kardinali shqiptar Ernest Simoni-Troshani u prit me gëzim të madh nga rregulltarët karmelitanë, që janë përgjegjësit e kësaj Kishe të lashtë dhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh e mysafirësh, ardhur për këtë rast të veçantë e domethënës.

Në fillim të Meshës, cerimonieri i Selisë së Shenjtë, Mons Vincenzo Peroni lexoi para të pranishmëve dekretin papnor të krijimit të kardinalit Ernest Simoni-Trsohani dhe përshëndetjen e Atit të Shenjtë Françesku drejtuar kardinalit shqiptar me rastin e hyrjes në Kishën e diakonisë.

Në emër të komuniteti karmelitan e të gjithë të pranishmëve, Rektor i Kishës, Atë Ivan Pinto i uroi mirëseardhjen kardinalit shqiptar Ernest Simoni Trsoahni, duke e përgëzuar për nderimin e veçantë që Papa Françesku i bëri atij duke krijuar kardinal të Kishës, e përmes tij të gjithë martirëve të kombit shqiptar.

Rektori i Kishës ‘Shën Maria e Shkallës’, karmelitani atë Ivan Pinto, pastaj, përshkoi biografinë e kardinalit shqiptar, kalvarin e tmerrshëm të Kishës, të klerit e të popullit shqiptar gjatë periudhës së komunizmit, dhe vlerësoi lartë dëshmimin e martirëve, që flijuan jetën për Fe e Atdhe, njërin prej të cilëve, tha ai, e kemi sot në mesin tonë, në personin e karidnalit Ernest Simoni Troshani.

Rektori Pinto i tha kardinalit shqiptar: “Ju jeni një dhuratë e çmueshme jo vetëm për popullin tuaj të dashur, por edhe për ne e për mbarë Kishën e botës”.

Ndër bashkëkremtuesit, së bashku me eprorët karmelitanë, ishte një numër i madh meshtarësh, në mesin e cilëve edhe disa meshtarët shqiptarë: Vikari i Përgjithshëm i kryedioqezës së Shkodrës, dom Nikolin Toma, famullitari i Katedrales shkodrane të Shën Shtjefnit, dom Artur Jaku, prifti i dioqezës së Sapës, dom Artur Kola dhe përgjegjësi i programit shqip të Radio Vatikanit, dom David Gjugja.

Në homelinë e Meshës, kardinali shqiptar, përshëndeti e falënderoi të pranishmit, pastaj u ndal te porosia e Fjalës së Zotit e dielës së gjashtë, sipas kalendarit liturgjik. Kardinali nënvizoi rëndësinë që ka për çdo besimtar lutja, meditimi i Fjalës së Zotit, dashuria e respekti ndaj tjetrit. “Vetëm me hirin e Hyjit ne mund të përballojmë çdo vështirësi, të fitojmë mbi të keqen. Zoti – theksoi kardinali Ernest Simoni-Troshani është përherë me ne, Ai na do dhe na mbron kurdoherë prej çdo rreziku.  Dashurisë së Tij të pakufishme, duhet t’i përgjigjemi me një jetë të përshpirtshme, me vepra të mira, me marrëdhënie të sinqerta vëllazërore dhe dëshminë e një jete në përkim me vullnetin e Zotit. Me Krishtin mundemi gjithçka, pa Zotin njeriu s’është asgjë”.

Po t’i kthehemi Meshës solemne të hyrjes së kardinalit shqiptar në Kishën e tij diakonale, në Romë, e në mikrofonin e Radio Vatikanit t’i dëgjojmë dy meshtarët nga Shkodra, dom Nikolin Tomën dhe dom Artur Jakun mbi figurën e kardinalit shqiptar Ernest Simoni Troshani..








All the contents on this site are copyrighted ©.