2017-02-13 19:03:00

Dita Botërore e Radios: mjet më i gjallë se kurrë


“Radioja je ti”: kjo është motoja e zgjedhur nga Unesco për të kremtuar Ditën e sotme Botërore të Radios. Ftohen të gjitha emitentet të promovojnë lirinë e shprehjes dhe respektin për larminë e kulturave, në mënyrë që të përmirësohet bashkëpunimi ndërkombëtar.

         Kush e ka dëgjuar këngën e Queen, në vitin 1984, Radio Ga Ga, e kujton edhe se urimi i këtij grupi muzikor e impenjonte radion të mos ishte zhurmë e thjeshtë në sfond të veprimtarive të përditshme. Vërtet, 33 vjet pas asaj kënge të njohur e gati 160 vjet pas eksperimenteve të para me valët elektromagnetike, sot, radioja është më e gjallë se kurrë. Çdo ditë, rreth 2,4 miliard njerëz në botë e dëgjojnë në FM, në radio dixhitale, ose përmes internetit. Mënyra të ndryshme transmetimi për një mjet, që është risuar gjatë viteve, falë teknologjisë, por edhe falë gjuhës së re, të aftë të kuptojë e të interpretojë revolucionin dixhital. Ja ç’thotë Giorgio Simonelli, pedagog i historisë së radios dhe televizionit në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, në Milano:

         “Është mjeti që bashkon dy karakteristikat e mëdha, që kërkojmë: ‘social’ dhe ‘personal’. Radioja ‘social’ apo ajo e rrjeteve shoqërore, sepse mund të dëgjohet në gjuhën tënde edhe nëse banon në Australi, prandaj krijon një bashkësi të madhe rreth vetes, përmes përzgjedhjes, që pastaj bëhet ‘personal’, pra, personale, sepse çdo emision mund të regjistrohet e të vihet në qarkullim sipas dëshirës e gustove të çdo njeriu, duke dhënë një përmasë personaliteti, individualiteti, vërtetësie. Me radion identifikohesh. Them gjithnjë se çdo dëgjues i radios, për të përcaktuar radion që dëgjon, përdor përemrin pronor, sepse thotë: ‘radioja ime’. Askush nuk thotë: ‘televizioni im’”.

         Ndoshta, pikërisht për këtë arsye, Unesco zgjodhi si moto: “Radioja je ti”. Këtë lloj bashkëveprimi me dëgjuesin, radioja e ka zbuluar që në vitet ’60-’70 përmes kushtimit të këngëve. Ishte gjë e thjeshtë të telefonoje dhe të thoje “ia kushtoj këtë këngë filanit”, e dëgjuesi ndjehej protagonist. E pastaj mikrofoni i hapur për dëgjuesit, dhënia e një numri telefoni për të shprehur opinione personale mbi tema të caktuara e të tjera. Radio publike, radio kryesisht muzikore, radio të specializuara në argumente të caktuara, si ato sportive për shembull, por edhe radio denoncim, si ato në Afrikë e në Amerikën Latine, radio, që mund të ndryshojnë shoqëritë, jetën e një popullsie.

         Radio Vatikani është shembull i gjallë se si një radio mund t’ua ndryshojë jetën njerëzve. Gjatë Luftës II Botërore, por edhe gjatë Luftës në Kosovë, më vonë, transmetoi emrat e miliona njerëzve, duke njoftuar familjarët se ku ndodheshin. Nga mikrofoni i saj, gjatë Luftës II Botërore, për gjashtë vjet me radhë, kaluan më se një milion e 200 mijë mesazhe, më se 12 mijë orë transmetimi. E nëse sot shohim drejt së ardhmes, përmes risimit të vazhdueshëm e të thellë, të bën gjithnjë përshtypje të dëgjosh Papën Piu XI, i cili, më 12 shkurt 1931, përuroi emitenten papnore, në praninë e shpikësit të radios, Guglielmo Marconi:

"Qui arcano Dei consilio suc­cedimus in loco Principis Apostolorum, eorum nempe quo­rum doctrina et praedicatio iussu divino ad omnes gen­tes et ad omnem creaturam destinata est, et qui primi in loco ipso mira sane ope Marconiana uti frui possu­mus …".








All the contents on this site are copyrighted ©.