2017-02-12 14:56:00

Në Engjëllin e Tënzot, thirrja e Papës për të mos qenë të krishterë sa për sy e faqe


Të jeni të krishterë të vërtetë, jo sa për sy e faqe. Këtë kërkoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Liturgjia e së dielës së sotme ofronte një faqe të re të Predikimit në mal, sipas Ungjillit, rrëfyer nga Shën Mateu ungjilltar. Çka u tha në Besëlidhjen e Vjetër, nuk ishte gjithçka e, në fragmentin e sotëm të Ungjillit, Jezusi na ftoi për rileximin e Ligjit të Moisiut, posaçërisht lidhur me tri tema: me vrasjen, shkeljen e kurorës dhe betimin.

Jezusi erdhi për ta përmbushur e për ta shpallur përfundimisht ligjin e Zotit, duke vënë në pah aspektet e mirëfillta të tij. Dhe e bëri këtë - shpjegoi Papa - me predikimin e vet e, më shumë akoma, me dhurimin e vetvetes mbi kryq:

“Kështu Jezusi na mëson si ta bëjmë plotësisht vullnetin e Zotit, me një drejtësi më të lartë, sesa ajo e skribëve dhe e farizejve. Drejtësi e frymëzuar nga dashuria, nga bamirësia, nga mëshira. Drejtësi e aftë të realizojë thelbin e Urdhërimeve, duke e shmangur rrezikun e formalizmit: këtë mundem, atë nuk mundem; deri këtu mundem, deri atje nuk mundem... Jo! Më shumë, më shumë, më shumë. Mundesh më shumë”.

Tre aspektet, që shyrton më tepër Jezusi në faqen ungjillore, propozuar nga liturgjia e sotme, mbi të cilat u ndalua fort edhe Papa, ishin: vrasja, shkelja e kurorës, betimi.

Vrasja e mirëfilltë, sipas Jezusit, jo vetëm është në kundërshtim të plotë me Urdhërimin e Tënzot “Mos vra!”, por edhe me dinjitetin e njeriut, duke përfshirë këtu edhe fyerjet:

“Natyrisht këto nuk janë aq të rënda e fajtore sa vrasja, por radhiten në të njëjtën vijë, si parakushte, të ngarkuara me të njëjtin mllef, me të njëjtën dashakeqësi. Jezusi na fton të mos ndalemi tek klasifikimi i fyerjeve, por t’i shikojmë të gjitha si tepër të dëmshme, sepse të gjitha synojnë t’i bëjnë keq të afërmit. E Jezusi na jep edhe shembuj. Të shash, të fyesh...: po ne jemi mësuar të shajmë...! Sharja për ne është si të themi mirëmëngjes! E kjo është në të njëjtën vijë me vrasjen. Kur fyhet vëllai, vritet në zemër. I  hapet një plagë po aq e rrezikshme, sa ajo e armës. Plagë që vonë mbyllet. E që mund të hapë plagë të reja. Ju lutem, prandaj, mos fyeni, mos shani! Nuk fitojmë asgjë duke fyer!”.

E përsa i përket shkeljes së kurorës, Jezusi shikon drejt e në rrënjën e së keqes:

“Ashtu si arrihet në vrasje, përmes fyerjeve e sharjeve, kështu arrihet në shkeljen e kurorës përmes dëshirës për të shtënë në dorë një grua tjetër, të ndryshme nga gruaja jote”.

Të gjitha mëkatet lindin brenda nesh një herë, pastaj dalin e vihen në jetë. E Jezusi thotë:

“Kush shikon gruan, që nuk është e tija, me dëshirën për ta pasur, në zemrën e tij e ka shkelur kurorën, e ka nisur tashmë rrugën, që të çon në shkeljen e kurorës. Të mendojmë pakëz për për ndjetet e këqija, që lindin në këtë vijë”.

Mos u betoni – u thotë Jezusi dishepujve të vet - sepse betimi është shenjë pasigurie e marrëdhëniesh me dy faqe:

“Ndërsa jemi të thirrur të vendosim ndërmjet nesh, në familjet tona e në bashkësitë tona, një klimë kthjelltësie e besimi reciprok, kështu që të mund të mbahemi si njerëz të sinqertë, pa pasur nevojë për ndërhyrje të tjera,  të një drejtësie më të lartë,  që  të mund të na besojnë”.

Ftesa kryesore, që bëri sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, ishte : “Të jemi  të krishterë të vërtetë, jo sa për sy e faqe!”.

E në përfundim, njëheresh me urimin për një të diel e javë të gëzueshme,  Papa bëri përsëri thirrje: “E, mos harroni, eh: mos shani, mos e shikoni tjetrin me sy të keq, me syrin që lakmon gruan e tjetrit; mos u betoni. Janë tri gjëra, që na i kujton vetë Jezusi. Nuk është e vështirë... E mos harroni edhe të luteni për mua!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.