2017-02-11 18:13:00

Papa të sëmurëve: nga Maria, dhembshuria e Zotit; Mesha e kardinalit Parolin në Lurdë


“Dëshiroj t’ju inkurajoj të gjithë ta kundroni Marinë, Shëndeti i të Sëmurëve, garante e dhembshurisë së Zotit për çdo njeri”: kështu shkruan në një tweet Papa, në Ditën Botërore të të Sëmurit, që kremtohet në festën e Zojës Lurdë. E pikërisht në Lurdë e kremtoi sot Meshën kardinali Pietro Parolin, si i Dërguar i posaçëm i Papës, para një turme vigane shtegtarësh e besimtarësh.

“Ja ku jam!” e Marisë ishte tema e fortë e homelisë, mbajtur nga kardinali Parolin gjatë kremtimit në Shenjtëroren mariane të Lurdës. Hirësia e Tij  kujtoi fjalët e Françeskut për 25-vjetorin e Ditës Botërore të të Sëmurit, duke u kërkuar mjekëve dhe vullnetarëve, të jenë “shenja gazmore të pranisë e të dashurisë së Zotit për ata, që vuajnë”. Pikërisht mbi domethënien që ka kjo “Ja ku jam!” e Marisë për të sëmurët, na flet  telefonikisht  nga Lurda, don Giovanni Frigerio, asistent i UNITALSI-t në Shenjtëroren mariane:

Përgjigje: - Përmes kësaj “Ja ku jam” të Marisë, ne mund të njohim  gjegjen “Ja ku jam!” të çdo të pagëzuari, por sidomos, të çdo të sëmuri, i cili është i thirrur për të ndarë me Zotin Jezus, përmes ndërmjetësimit të Marisë, pikërisht udhën e asaj “po”, shqiptuar nga Zoja e Bekuar, një ‘po’, që flet për dashuri, që flet për vuajtjen  e sëmundjen, parë jo si dënim, por si pjesëmarrje në dhuratën e shëlbimit për botën e sotme e për çdo njeri.

Pyetje: - Kardinali Parolin nënvizoi se pikërisht përmes kësaj “Ja ku jam!”, të Marisë, buron, pastaj “Ja ku jam” e pranisë  së të gjithë atyre, që rrinë pranë të sëmurit. Ju e  jetoni çdo ditë këtë përvojë...

Përgjigje: - Shoqërimi shpirtëror i të sëmurëve është vërtet përvojë e madhe. Shkëmbim dhuratash. Ti u dhuron praninë tënde, por edhe ata të dhurojnë shpresën. Sepse ti takon njerëz, që rigjejnë shpresën dhe kuptimin e jetës, pavarësisht se trupi i tyre mund të jetë i rrënuar nga sëmundja. Njerëz, që gjejnë forcë për të thënë: “Nuk jemi vetëm, të braktisur! Zoti është pranë nesh”. E këtë e ndjejnë sidomos përmes ndërmjetësimit të Marisë. E kthehemi të dyja palët në jetën e përditshme  me shpresa të reja në zemër.








All the contents on this site are copyrighted ©.