2017-02-11 14:45:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 6-të të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së gjashtë, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.


Jezusi është plotësimi i çdo drejtësi, është gurra e çdo dashurie. Ai na mëson të ecim udhës së vëllazërimit. Hyji, që na dëfton plotësimin e ligjit në drejtësinë e re të themeluar në dashuri, përmes Fjalës së Tij Hyjnore, këtë të diele, na fton të jemi të ndershëm në fjalë e në vepra, të bëhemi shenjë pajtimi e paqeje për çdo njeri, bartës lirie e drejtësie për çdo shoqëri.
Leximi I nga Siracidi, na vë përballë përgjegjësisë e lirisë sonë. Na fton të përcaktohemi për Zotit, çka domethënë të vendosemi për jetën,  e të ruhemi për të mos iu kundërvë  Zotit, sepse kjo domethënë të zgjedhim udhën e vdekjes.
Lypet, pra, të vihemi në dëgjimin e Urtisë që vjen prej Hyjit. Këtë na fton të bëjmë Leximi II, në të cilin Pali apostull e nxit komunitetin e krishterë të ecën drejt pjekurisë së besimit e përforcimit në fe, dhuratë e Shpirtit Shenjtë.

Në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele, nga Mateu, Jezusi nënvizon se nuk ka ardhur për të ndryshuar Ligjin, as për t’i ftuar njerëzit për të mos respektuar Ligjin e Moisiut e profetët, por për ta plotësuar atë, për ta përsosur përmes Dashurisë. Kjo mënyrë e re u përurua nga Jezu Krishti me Pashkët e veta. Njeriu nuk e ndjek më Ligjin vetëm si normë në vetvete, por e jeton atë për të qenë vërtet i lirë. Liria është pasuria më e çmuar, që Zoti i ka dhuruar njerëzimit. Por, për të qenë të lirë duhet flijuar diçka. Krishti na tregon një sekret për ta fituar më lehtë lirinë: të shkojmë drejt vëllait në nevojë.

Nëse do të dimë ta shohim praninë e Zotit tek të tjerët, siç na mëson Krishti në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Ligji nuk do të jetë më barrë e rëndë, por busull, që na orienton në jetë. Nëse e kuptojmë se shpëtimi ynë lidhet me të mirat që u bëjmë të tjerëve, atëherë e kemi fituar vërtet atë urti, që vjen nga Hyji, që askush s’mund të na e marrë më. Zoti deshi që shëlbimi i njërit të kalojë përmes shëlbimit të tjetrit. Leximi i parë i së dielës së 6-të nga Libri i Siracidit pohon se respektimi i urdhërimeve hyjnore është jetë për njeriun. Edhe shën Pali Apostull, në Leximin e dytë nga Letra e parë drejtuar Korintianëve, flet për urtinë njerëzore, e cila është jashtëzakonisht larg nga urtia hyjnore, që na zbulohet vetëm falë Shpirtit Shenjt.

Nga Ungjilli Mateut (5,17-37)!

Qëndrimi i Jezusit ndaj Besëlidhjes së Vjetër

17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

20 Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”

Zemërimi

21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.

22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

25 Rregullohu shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”

Mësimi mbi kurorëthyerjen

27 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’ 28 E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. 29 Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. 30 E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.”

Mësimi mbi divorcin

(Mt 19, 9; Mk 10, 11‑12; Lk 16, 18)

31 “Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ 32E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet ‑ përveçse në rastin e fëlligështisë ‑ e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.”

Mësimi mbi betimin

33 “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ 34 E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, 35 as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. 37 Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”








All the contents on this site are copyrighted ©.